Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq, në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Në një njoftim në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se në takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
Kurti u shpreh se me Plenkoviqin ka diskutuar edhe vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar, siç u shpreh ai, “asimetrinë e padrejtë të përgjegjësisë për luftën”.
Në takim është diskutuar edhe çështja e personave të zhdukur dhe varrezave masive të zbuluara së fundmi në Kosovë, ndërsa Kurti ka ngritur shqetësimin për moshapjen e arkivave nga Serbia.
Një tjetër temë e diskutimit ka qenë, sipas Kurtit, “diskriminimi i vazhdueshëm administrativ” ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Kurti ka vlerësuar bashkëpunimin me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake, si dhe mbështetjen e Zagrebit për rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe integrimit euroatlantik.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ka përshëndetur bashkëpunimin ndërmjet ministrive të Drejtësisë të Kosovës dhe Kroacisë në rastin e Bajram Bajramit, shtetasit kosovar i cili u ndalua në Kroaci në bazë të një urdhërarresti të Serbisë dhe u lirua sot.