Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin e ri të fletëvotimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku risi janë shigjetat që zëvendësojnë numrat mbi listat e partive dhe kandidatëve. Por ankesa pati anëtarja e KQZ-së, Mufera Shinik, e cila tha se fletëvotimi bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve pasi nuk është edhe në gjuhën turke sidomos për Komunën e Prizrenit dhe atë të Mamushës. Ajo paralajmëroi ankesë në PZAP
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit brenda vendit për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Risi në dizajnim këtë herë është vendosja e shigjetave në vend të numrave mbi listat e partive dhe të deputetëve.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, anëtarja e KQZ-së, Mufera Shinik, që përfaqëson Partinë Demokratike Turke të Kosovës, pati vërejtje lidhur me gjuhët e përdorura në fletëvotim që janë vetëm shqipja dhe serbishtja.
Ajo tha se fletëvotimet për Komunën e Prizrenit dhe Mamushës duhet të përmbajnë edhe gjuhën turke, sepse në këto dy komuna edhe turqishtja është gjuhë zyrtare.
Shinik për këtë paralajmëroi ankesë në PZAP.
“Në Prizren komuniteti turk është 6.6 (v.j. përqindja e totalit të popullsisë) nuk duhet të jetë përqindje në Prizren ajo pesë për qind që e kemi me ligjin. Në Mamushë është 93% komuniteti turk, tash në Mamushë kemi të drejtë të shkojmë, të flasim, të përdorim për listat, për fletëvotimet gjuhën serbe e gjuhën turke nuk kemi të drejtë”, ka deklaruar Mufera Shinik, anëtare në KQZ
Shinik iu referua nenit 87 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që në pikën tetë thekson se “Fletëvotimet shtypen në të gjitha gjuhët zyrtare në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.
Por drejtori i sekretariatit në KQZ, Besnik Buzhala, tha se fletëvotimi i propozuar është në përputhshmëri me rekomandimin e Zyrës ligjore të sekretariatit.
“Zyra ligjore konstaton që fletëvotimi për zgjedhjet në Kuvendin e Kosovës duhet të përdoret në dy gjuhë zyrtare, do të thotë në gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe dhe ky është rekomandimi”, ka sqaruar Buzhala.
KQZ-ja po ashtu mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit.
Po ashtu miratoi edhe formulën për përbërjen e këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe ekipeve të numërimit.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se janë miratuar 76,876 aplikime për votim nga jashtë dhe janë refuzuar 7,580 sosh.