Me procedura të përshpejtuara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shtypjen e fletëvotimeve për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit, në të njëjtën ditë kur është publikuar njoftimi për dhënien e kontratës për këtë proces që ka kushtuar 58 mijë euro më shumë sesa që ishte paraparë me kontratë të rregullt
Në të njëjtën ditë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për dhënien e kontratës, ka nisur edhe shtypja e fletëvotimeve që do të përdoren për votimin me postë në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Pra, kjo shtypje më e shpejtë e fletëvotimeve që përdoren për votimin me postë bëhet me qëllim që ne të arrijmë që brenda afateve të dërgojmë pakot me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë regjistrimit”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProcesi i votimit me postë për mbi 100 mijë qytetarët e regjistruar jashtë Kosovës nis më 25 maj dhe përfundon më 6 qershor.
KQZ-ja do t’ua dërgojë pakot me fletëvotime që kushtuan rreth 60 mijë euro më shumë sesa që ishte parashikuar me kontratë të rregullt, në adresat postare të votuesve të regjistruar.
Të hënën, në platformën elektronike të prokurimit publik u publikua njoftimi për dhënien e kontratës, por ende nuk figuron ai për nënshkrimin e saj.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, nga publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës deri te nënshkrimi i saj duhet të kalojnë 10 ditë, për t’u mundësuar operatorëve ekonomikë paraqitjen e ankesave.
Megjithatë, një opinion i Komisionit Rregullues të Prokurimit Publik parasheh mundësinë që autoriteti kontraktues ta nënshkruajë kontratën pa pritur afatet ligjore në raste emergjente ekstreme, të përcaktuara me nenin 35 të LPP-së.
Kjo dispozitë nuk mund të zbatohet nëse situata emergjente është shkaktuar nga neglizhenca, veprimet e qëllimshme ose lëshimet e vetë autoritetit kontraktues.
“Nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në Ligjin për Prokurimin Publik, neni 35.
Kontrata, me vlerë 342 mijë euro, i është dhënë kompanisë sllovene Cetis, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.
Kjo kompani pati shtypur edhe fletëvotimet për zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, kur u evidentuan mospërputhje në numrat serikë.
Të martën është anuluar tenderi i rregullt i hapur nga KQZ-ja për shtypjen e fletëvotimeve pasi asnjë kompani nuk bëri ofertë.
Vlera e parashikuar në kontratën e rregullt ishte 284 mijë euro.
Zgjedhjet e 7 qershorit do të jenë të dytat të jashtëzakonshme që mbahen brenda gjashtë muajsh.