Fletëvotimet për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’i shtypë te kompania, e cila i pati printuar me gabime ato për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 9 nëntor. Në kontratën me vlerë prej mbi 270 mijë eurosh janë specifikuar tri kushte të sigurisë për mbrojtjen e fletëvotimeve nga kopjimi apo falsifikimi
Kompania sllovene që i pati shtypur me gabime fletëvotimet për balotazhin e 9 nëntorit është përzgjedhur sërish nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për printimin e atyre për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Kompania CETIS, krahas fletëvotimeve do ta bëjë shtypjen edhe të broshurave të kandidatëve për deputetë, si dhe listat e votuesve.
Vlera e kontratës për printimin e përafërsisht 1 milion e 840 mijë fletëvotimeve, 13 mijë e 500 broshurave të kandidatëve dhe të 2 mijë e 700 listave të votuesve është 275 mijë e 742 euro e 40 centë.
Në zgjedhjet e balotazhit, shtypja me gabime e fletëvotimeve ka nxitur diskutime të shumta, si dhe dyshime për keqpërdorim të votave, veçmas në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Për këto zgjedhje, KQZ-ja i ka kërkuar kompanisë sllovene që fletëvotimet të përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë.
“Veçoritë e sigurisë janë: Mikroshtypi – ku shtypen karaktere apo një mostër e caktuar në një madhësi të vogël, e padukshme për sy, ku duhet të përdoret një zmadhues për t’u parë; UV Print – një dizajn unik vendoset në pjesën e përparme të fletëvotimit, që mund të shihet vetëm përmes UV–llambës; Anticopy – mbrojtje nga kopjimi – si element i cili mbron fletëvotimin nga kopjimi. Ky element vendoset në pjesën e përparme të fletëvotimit dhe në momentin që një fletëvotim kopjohet, shfaqet shenja dalluese se ai është i kopjuar; Fletëvotimet kanë një shenjë të veçantë dalluese që propozohet nga operatori, i cili bën shtypjen e fletëvotimeve dhe është unik për nga mënyra e krijimit dhe identifikimit të tij”, thuhet në kontratën për printimin e fletëvotimeve, të publikuar në faqen “e-prokurimi”.
KOHA ka kërkuar sqarime nga KQZ-ja lidhur me arsyet e dhënies së kontratës së njëjtës kompani që i ka printuar me gabime fletëvotimet për garën e balotazhit. Në këtë institucion kanë thënë se oferta u janë kërkuar gjashtë operatorëve ekonomikë, porse ajo e kompanisë CETIS ka qenë e vetmja e pranueshme.
“Në këtë aktivitet të prokurimit ftesa për ofertim u është dërguar gjithsej 6 operatorëve ekonomikë (4 vendorë dhe 2 të huaj). Kemi pranuar vetëm një ofertë administrativisht të përgjegjshme nga grupi i operatorëve ekonomikë ‘Cetis & Cetkos’, dhe pas një procesi të vlerësimit është shpërblyer me kontratë ky operator ekonomik si ofertues i vetëm”, kanë thënë në KQZ në një përgjigje për KOHËN.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë njoftuar se ky operator ekonomik është dënuar për gabimet e bëra në fletëvotimet e procesit paraprak zgjedhor, porse nuk kanë ofruar hollësi të tjera lidhur me këtë çështje.
Shkaku i këtyre gabimeve, KQZ-ja pati formuar komision vlerësues për verifikimin e fletëvotimeve edhe në komuna të tjera, krahas atyre në Mitrovicë. Ky institucion ka pranuar edhe një raport nga kompania CETIS, e në të cilën është evidentuar se 1 mijë e 874 fletëvotime, të shpërndara në 18 komuna ku ka pasur balotazh, janë printuar me gabime.