LAJMET E MBRËMJES

Konjufca i bindur se me ish-qeveritë veriu do të përfundonte në negociata

“Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë dhe është shansi i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik”, ka thënë kryekuvendari Glauk Konjufca, të hënën

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nuk ka vend për shqetësim lidhur me masat e prezantuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, fundjavën që shkoi. 

Konjufca ka thënë të hënën se kërkesat e Vuçiqit janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë dhe është shansi i humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, me një qeveri tjetër çështja e veriut do të ishte e negociueshme me Serbinë tash, gjë që, sipas tij, për Vetëvendosjen nuk është opsion. 

“Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni ynë, opsioni ynë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata”, ka thënë ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të premten, në një konferencë për media, ka prezantuar disa masa e kërkesa që do të ndërmarrë për, siç ka thënë, adresimin e situatës së serbëve të Kosovës. Në mesin e tyre ka kërkuar kthimin e zyrtarëve serbë në institucionet nga ku ishin dorëhequr, e ka paralajmëruar hapjen e zyrave pranë kufirit për të ofruar shërbime për serbët, pas mbylljet së institucioneve ilegale nga autoritetet kosovare. 

Qeveria serbe ka njoftuar se disa nga masat do të fillojnë të zbatohen nga muaji nëntor.
E, sipas Konjufcës, procesi i largimit të strukturave paralele do të vazhdojë dhe se ai  është i domosdoshëm për “konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës”. 

“Strukturat paralele tash gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdon të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim, mirëpo ajo substanca e tyre tashmë është hequr, kanë mbetur edhe disa të tjera, mirëpo në vazhdimësi nuk do të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces edhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ky është drejtimi ynë”, ka thënë ai.

Përkitazi me masat e kërkesat e presidentit Aleksandar Vuçiq, të hënën nuk janë përgjigjur nga Qeveria e Kosovës.

Por, në një deklaratë të ndarë në rrjetet sociale, dy ditë më parë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se me konferencën e tij, Vuçiqi ka treguar se nuk e ka ndërmend të ndalë instrumentalizimin e serbëve.

“Përmes shpalljes së djeshme teatrale të Kosovës si zonë të veçantë sociale, Vuçiqi synon përfitime edhe më të larta për veten dhe klanet rreth tij nga fondet në emër të serbëve të Kosovës. Që transparenca e këtyre fondeve është zero dhe keqpërdorimet janë masive, mjafton të shohësh vilën luksoze të Radoiçiqit tek Ujmani, e cila është ndërtuar me para të ndara gjoja për serbët lokalë. Përmes themelimit të të ashtuquajturës prokurori e posaçme synohet ngritja e tensioneve, cenimi i sovranitetit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, por, mbi të gjitha, shfrytëzimi i këtij mekanizmi për të ndjekur në mënyrë arbitrare sidomos qytetarët serbë të Kosovës, të cilët nuk po i binden më pushtetit të Vuçiqit dhe klaneve të tij”, ka shkruar mes tjerash Gërvalla të shtunën.
Sipas saj, qëllimi i presidentit serb është që të pengojë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e të mbajë gjallë tensionet në rajon. Ajo u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që “të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive e armiqësore të Aleksandar Vuçiqit karshi Republikës së Kosovës.