Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kokalla: Për vrasjen e Liridona Ademajt mësova nga mediat

kushtrim kokalla

Foto: Driton Paçarada

Ish-pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kushtrim Kokalla, i cili është njëri nga të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ka paraqitur të premten mbrojtjen e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ai para trupit gjykues ka thënë se nuk ka pasur marrëveshje me të pandehurit për vrasjen e Ademajt dhe se për ngjarjen ka mësuar nëpërmjet mediave

I akuzuari Kushtrim Kokalla ka deklaruar të premten para Gjykatës Themelore në Prishtinë se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga mediat dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarjen e vitit 2023.

Kokalla, i cili është ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), ka thënë gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë në shtëpi me të afërmit e tij dhe se për rastin e ka njoftuar njëri prej shokëve të tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Unë kam qenë duke luajtur letra apo karta me tezaket e mia në shtëpi. Mua më ka thirrë Flori dhe më ka thënë: ‘A i ke parë gazetat se çfarë ka ndodhur’. Unë realisht aty kam qenë si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës në gatishmëri, pasi që ka qenë sulmi në Banjskë, thash paska ndodhur diçka. Aty më ka shku mendja, që paska kris edhe diçka tjetër”, është shprehur ai para trupit gjykues. 

I pandehuri Kokalla ka thënë po ashtu se pas lajmit të publikuar në media ka tentuar që të kontaktojë me të akuzuarin kryesor për vrasje dhe bashkëshortin e Ademajt, Naim Murseli, porse, sipas tij, ai nuk ka qenë i qasshëm. 

Kokalla ka theksuar se pasi që ka mësuar për rastin, është nisur për në Prishtinë për t’i qëndruar afër familjes Ademaj. Ai ka thënë se në vrasjen e Liridonës, ai nuk ka pasur rol. 

E pas vizitës te familja e viktimës, Kokalla ka thënë se ka shkuar shkoi për t’i qëndruar afër edhe Murselit, i cili ndodhej në një hotel në Prishtinë.

“Pasi që familja Ademaj morën fëmijët e Naimit, e të tjerët hipën në kerre me shku në shtëpi, Valon Lluka tha a po rrin dikush sonte me të (Naimin) se unë nuk mundem të qëndroj gjatë. Thashë unë po qëndroj me të. Na ka shoqëruar Valon Lluka në hotel”, është shprehur ai.

Kokalla para gjykatës ka mohuar se ka pasur marrëveshje me të pandehurit Naim Murseli dhe e Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademajt.

E për çiftin, ai ka thënë se ka pasur probleme mes vete.

“Problemet e çiftit ishin të njohura jo vetëm për mua, por edhe për familjen Ademaj, familjen Murseli. Të gjithë e dinin, i madh e i vogël për këto probleme”, ka theksuar ai.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, ka marrë vendim që seanca të mbyllet për publikun, nën arsyetimin se pyetjet lidhen me jetën personale të të akuzuarit Murseli dhe të ndjerës Ademaj.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë dakorduar paraprakisht që vrasja e Liridona Ademajt të kryhe nga i akuzuari Plava, nën marrëveshjen që Murseli t’i paguajë atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani fillimisht i është shpalosur Kokallës nga ana e Murselit, porse ai ka refuzuar që ta gjejë një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla e ka gjetur Plavën e të cilin e ka njoftuar me Naimin. 

E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.

Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor të 2023-tës, i pandehuri Kokalla pati deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

E një ditë më parë, në paraqitjen para trupit gjykues i akuzuari Granit Plava ka thënë se ka pasur marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë për krimin. Ai ka thënë se Murseli i ka premtuar veturë, pagë dhe punë të sigurt si dhe lirimin nga burgu për dy vjet.