I akuzuari në rastin për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, ka thënë para gjykatës se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me dy të akuzuarit e tjerë, Naim Murseli, e Granit Plava.
Ai është përgjigjur në pyetjet nga avokati i tij, Ndrecë Dodaj. Ky i fundit e ka pyetur nëse ka takuar Murselin e Plavën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Unë nuk i kam taku as me Granitin, as nuk kam bërë asnjë marrëveshje. Nuk kam pasur lidhje me këtë far punë, që e kam taku Naimin me Granitin, për kryerjen e veprës”, është përgjigjur Kokalla.
Dodaj e ka pyetur për deklaratën fillestare që ka dhënë në Polici më 1 dhjetor 2023. Kokalla ka thënë se atë ditë është intervistuar nga “4-5” hetues dhe se ata i kishin thënë se ishte i arrestuar për veprën.
“Po kemi pasë. Me tregun që më kanë arrestu. Me thanë që ti je kryesori ne këtë punë, edhe pse se ke ngreh gishtin, ti e ke bo të gjithë skenarit, është në interesin tonë dhe tuajin që të na tregosh si e ke bërë skenarin”, ka thënë Kokalla, duke shtuar se në ato momente nuk ka qenë prezent avokati i tij.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarit në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla. Pyetjet ndaj tij kanë nisur nga avokati i tij, Ndrecë Dodaj.
Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.
Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.
“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.
Një ditë më herët, në Gjykatë, i akuzuari Granit Plava tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu.