Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Apeli mbyll dyert gjatë trajtimit të rastit të Liridona Ademajt

Naim Murseli

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Gjykata e Apelit e ka mbyllur për publikun seancën e Kolegjit ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës të dënuar në shkallë të parë për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Gjykatës, vendimi është marrë për, siç është thënë, mbrojtje të jetës private të pjesëmarrësve në procedurë. Kritika për vendimin e Apelit dhanë familjarët e Liridonës

Procesi gjyqësor për vrasjen e Liridona Ademajt, që në shkallë të parë u përcoll me interesim të madh publik, të enjten në Apel u mbajt me dyer të mbyllura.

Kolegji i Apelit, vendosi që seanca për shqyrtimin e ankesave për lartësinë e dënimeve ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, të mbahet e mbyllur për publikun.

Sipas gjykatës, vendimi është marrë duke marrë parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat, sipas saj, kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë.

Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona Ademaj, nuk e mirëpriti vendimin.

“Ajo çfarë pamë sot në këtë seancë nuk ishte e hijshme as për ju, as për ne dhe as për njerëzit që na shohin. Sot gjykata mundi të thotë të vërtetën, e mundi t’i lirojë edhe mediat e të krijojë bindjen se ne i mbrojmë gratë, motrat e nënat tona. Pra, ne presim që vendimi të jetë ai si për Naimin e Granitin, me burgim të përjetshëm. E shpresojmë shumë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, ka thënë Ademaj.

Avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, tha se ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të vërtetohet dënimi me burgim të përjetshëm për Murselin e Plavën, ndërsa edhe Kokallës t’i shqiptohet një dënim i tillë.

“Qëndrojmë plotësisht pranë atyre pretendimeve se nuk do të kishte vrasje të Liridona Ademajt sikur të mos ishte Kushtrim Kokalla. Kushtrimi ka qenë aktiv qysh në fillim, madje jo ashtu siç është deklaruar në seancën e mbajtur në deklarata fillestare, se jam takuar dy javë përpara. I kemi ofruar gjykatës prova të mjaftueshme se të njëjtit një vit përpara kanë planifikuar për vrasjen. Një vit përpara kanë inskenuar edhe metodat e tjera për të kryer vrasjen”, ka thënë avokati Syla.

Dënim me burgim të përjetshëm për Kokallën e kërkuan edhe Prokuroria Themelore dhe ajo e Apelit.

E, ulje të dënimit, sipas Gjykatës së Apelit kërkuan tre të akuzuarit.

Në aktgjykimin e 21 prillit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Liridona Ademaj, bashkëshortja e të dënuarit Naim Murseli, u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës.