Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Plava: S’e vrava Liridona Ademajn, por u mora vesh me Murselin ta marr përgjegjësinë

Granit Plava

Foto: Driton Paçarada

Granit Plava i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt ka thënë se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për të marrë përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu. Në gjykatë, Plava theksoi se Murseli i ka thënë se për marrëveshjen ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli

Granit Plava që akuzohet për vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë që ai nuk e ka shkrepur armën, por se pati marrëveshje me Naim Murselin për të marrë përsipër fajësinë.

Para trupit gjykues, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Plava tha se të gjitha veprimet atë ditë, i bëri në bazë të instruksioneve që ia dha i akuzuari për organizimin e vrasjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Para se me shku te vendi i ngjarjes, ky kish mbërri te një shitore, ish ndalë kur e ka pa kerrin tem që u shku teposhtë. Edhe unë jam ndal me e pritë ku m’ka thanë ky. Ky si e ka pa kerrin tem, u ndal 10-15 metra, e kam ni krismën e armës, u ardhë ma ka gjujtë fuup armën edhe ka thanë: ‘ik zhduku’. Por unë e kam dëgjuar krismën”, ka thënë Plava.

Ai tha se Murseli i kishte premtuar një veturë, pagë e një punë të sigurt.

“Marrëveshja me Naimin ka qenë: jam kanë në dijeni për veprën të cilën akuzohem. Asnjëherë nuk më ka tregu se kush është personi dhe më ka thënë që ki me marrë përgjegjësinë ti. Më ka thënë që pa u bë dy vjet të nxjerri prej burgu”, ka thënë i akuzuari Plava.

Sipas tij, për marrëveshjen, në dijeni ka qenë edhe Behgjet Pacolli, këshilltar i të cilit ishte Murseli.

Para trupit gjykues Plava foli për takimet paraprake me Murselin, e edhe për armën që e kishte blerë në kohën kur ishte ndalur te një automekanik për ta rregulluar automjetin.

“Kur u kryjtën gomat, i mora fishekët, i kom shti në xhep. Fishekët i kam marrë unë, i kam shti në xhep, e ai armën dhe më tha: ‘duhet të nisemi menjëherë për Prishtinë’”, ka thënë ia.

Ky i akuzuar deklaroi se fishekët Murseli i mori në një pompë derivatesh. 

“Kur shkova te pompa ‘Kastrati’, i thashë: ‘50 euro naftë’. Kur dola jashtë më ranë fishekët në tokë, atëherë iu kujtu Naimit dhe më ka thënë që mi jep fishekët. Ia kam dhanë dhe ka ecë, e unë e kam ndjekë”, ka thënë Plava.

Gjatë sesionit të paradites, mbrojtjen e tij e ka dhënë edhe i akuzuari Murseli. Ai deklaroi se armën me 20 fishekë ia ka blerë për dhuratë Plavës.

“Ai më ka thënë që e shet dyfish të nesërmen armën. Kjo ishte arsyeja pse e kam blerë. Me atë qëllim e kam blerë”, ka thënë Murseli.

Gjatë seancës Murselin gjykata e ballafaqoi me disa fotografi të natës kritike. I akuzuari tha se e ndjera nuk kishte asgjë me vlerë me vete, por Gjykata ia dëshmoi të kundërtën.

Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë.

Krahas Murselit dhe Plavës, në këtë proces gjyqësor Kushtrim Kokalla akuzohet për bashkëkryerje të “Vrasjes së rëndë”.

I akuzuari i katërt është Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro dhe ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.