Ka vazhduar mbrojtjen e tij i akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli. Prokuroria e përballi atë me disa mesazhe të cilat i ka shkëmbyer më të akuzuarin Granit Plava, një ditë para vrasjes së Liridonës. E, gjykata bëri të ditur se gjatë kohës sa është në paraburgim, Murseli kërkoi takim me djalin e tij dhe me Behgjet Pacollin, i cili pranoi se ka garantuar një kredi.
Me mesazhet që i shkëmbeu me Granit Plavën një ditë para se të vritej Liridona Ademaj, i akuzuari Naim Murseli u ballafaqua të mërkurën në Gjykatë.
Gjatë dhënies së mbrojtjes, Murseli pranoi se numri është i tij, por tha se nuk iu kujtohen këto mesazhe.
“Ekspertiza e telefonit të Plavës na ka verifikuar që ju 10 ditët e fundit para vrasjes së bashkëshortes suaj keni komunikuar rregullisht me Granit Plavën. Konkretisht, një ditë para vrasjes, në orën 19:41, i keni dërguar mesazh Granitit me përmbajtje: ‘Shok, me siguri nesër përfundon’, a të ka thënë Kuça (Kushtrimi) që paradite? A ju kujtohet që e keni dërguar këtë porosi?”, e ka pyetur prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq.
Murseli ka mohuar dërgimin e mesazhit.
“Jo, nuk më kujtohet”, ka thënë ai.
Murseli, i cili akuzohet bashkë me Granit Plavën e Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-tës, tha se vetëm një muaj para se të ndodhte krimi e ka njohur Plavën.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq e ballafaqoi Murselin edhe me thirrjet telefonike që ai ia ka bërë Plavës në ditën kritike.
“Thirrja e parë ka qenë më 29 nëntor, në orën 09:16. Thirrja e dytë e humbur në të njëjtën ditë, në orën 09:21. Thirrja e tretë në orën 10:35. Pse ka qenë me rëndësi që atë ditë të shiheni me Granitin pas këtyre mesazheve dhe thirrja juaj e pandalshme. A mund të jepni përgjigje?”, ka pyetur prokurorja.
I akuzuari Murseli tha se atë ditë është takuar me Plavën e Kokallën, meqë këta të dy kishin një problem në Gjakovë.
I akuzuari Murseli mohoi para Gjykatës se e ka parë Plavën në restorantin “Etno Kuca” (Kuça), ku drekoi me bashkëshorten e fëmijët pak çaste para krimit.
“Unë në asnjë moment nuk e kam parë Granit Plavën e as veturën e tij, as rrugës në restorant, as për në shtëpi”, ka thënë ai.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, tha se gjatë kohës sa ndodhet në paraburgim, Murseli ka kërkuar të komunikojë me djalin e tij dhe me Behgjet Pacollin, këshilltar i të cilit ishte për një kohë.
Pas kësaj ka reaguar Pacolli, i cili ka folur edhe për diskutimet për një kredi të garantuar nga ai për familjen Murseli, për blerjen e një prone.
“Nga kjo kredi, familja Murseli ka kthyer në para të gatshme më pak se 12,000 euro, por Naimi, në atë kohë ka kryer edhe punë në kompensim... Nuk besoj se kjo shumë është kthyer në tërësi, por nga ana ime nuk ka pasur asnjë trysni për ndonjë kthim urgjent”, ka deklaruar Pacolli.
Murseli, Plava e Kokalla akuzohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Sipas aktakuzës, Murseli e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për përfitim financiar, duke i premtuar Plavës 30 mijë euro nëse e kryen atë. E Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, i cili ua shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë. Themelorja e dënoi me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia uli në tre vjet.