Ura qendrore mbi Ibër në Mitrovicë është testuar këtë javë nga një kompani e kontraktuar, sipas KFOR-it, nga Bashkimi Evropian. Por, as dy ditë pas këtij veprimi, BE-ja nuk ka dhënë hollësi se pse janë bërë testimet dhe çfarë nënkuptojnë ato. Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se testimet e fundit janë të panevojshme
Dy ditë pas testimeve të kryera në Urën e Ibrit në Mitrovicë, në Bashkimin Evropian (BE) nuk kanë dhënë hollësi mbi veprimin e ndërmarrë dhe as për arsyet e këtij angazhimi.
Në BE, gjithashtu, nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht lidhur me veprimet e fundit për testimin e urës, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.
Në një përgjigje për KOHËN, në misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR – kanë sqaruar se kompania që e ka kryer testimin ka qenë e kontraktuar nga Bashkimi Evropian.
“Personeli i angazhuar në testimet teknike të kryera në Urën e Mitrovicës është i një kompanie private të kontraktuar nga Bashkimi Evropian”, kanë thënë në KFOR.
Për këto testime nuk ka qenë e informuar as Qeveria e Kosovës.
As të enjten Zyra e kryeministrit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS, lidhur me qëndrimin rreth zhvillimit dhe për faktin që testimet janë kryer pa dijeninë e institucioneve.
Por, zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se testimet që janë ndërmarrë ditëve të fundit janë të panevojshme.
“Asnjë informacion zyrtar nuk kemi pasur që do të ketë testime. Ata i kanë bërë testimet, ne i kemi bërë testimet tona dhe e kemi marrë rezultatin dhe raportin. Ura është stabile për çfarëdo ngarkese që mund të kalojë mbi të. Për çfarë i kanë bërë ato testime nuk e kam idenë, mirëpo kjo nuk lidhet fare me dy urat e tjera... Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e dy urave të tjera dhe ndoshta edhe shumë të tjerave përgjatë lumit Ibër”, ka thënë ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë, Nexhat Uglani, ka thënë se heshtja e Bashkimit Evropian, por edhe e Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen, është marrëveshje.
“Është një heshtje, por besoj në një lloj marrëveshje ndaj palëve që Ura të hapet për qarkullim të lirë. Kjo është marrëveshje mes tri palëve në kuadër të dialogut i cili po zhvillohet në Bruksel përmes zyrtarëve evropianë, sigurisht është parapërgatitje për lëvizjen e lirë për automjetet. E dini që kjo është bërë edhe nga Bashkimi Evropian pas paralajmërimit që do të ndërtohen dy urat”, është shprehur ai.
Vitin e shkuar Qeveria pati planifikuar që ta hapë për qarkullim Urën mbi Ibër, e cila është mbajtur e mbyllur që pas luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Për këtë synim janë kryer edhe testime, porse veprimi u pat përcjellë me reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Në BE kanë thënë asokohe se çështja e hapjes së urës për qarkullim duhet të jetë temë diskutimi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.