LAJMET E MBRËMJES

Qeveria s’është e informuar për testimet në Urën e Ibrit, qytetarët kërkojnë hapjen e saj

Testime sipër dhe nën Urën qendrore mbi Ibër në Mitrovicë janë kryer që nga orët e hershme të mëngjesit. Për këto testime u angazhuan punëtorë të shumtë, kamionë të rëndë e pajisje të ndryshme. Në Qeverinë në detyrë thanë se nuk kanë informacione se kush qëndron prapa tyre. KOHA mësoi nga burime të saj se kërkesa për testime është bërë nga Bashkimi Evropian, e në BE nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me çështjen

Që prej orëve të mëngjesit, ura qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë është shndërruar në shesh punimesh.

Punëtorë të shumtë, kamionë të rëndë e pajisje matëse u vendosën mbi dhe nën të për të kryer testime, e prapa të cilave në institucione thanë që nuk dinë se kush qëndron.

Sipas burimeve të KOHËS, testimte janë duke u kryer me kërkesë të Bashkimit Evropian. Lidhur me këtë, KOHA dërgoi adresoi pyetje në BE, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

E teksa testimet vazhduan gjatë ditës së martë, në Qeverinë në detyrë thanë se nuk posedojnë asnjë informacion se kush qëndron prapa tyre.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, theksoi se kjo ministri i ka kryer testimet në urë gjatë vitit të shkuar.


“Ne si ministri i kemi përfunduar testimet vitin e kaluar dhe e kemi pranuar raportin përfundimtar që ura është stabile për kalimin e të gjitha ngarkesave mbi urë. Ne nuk jemi duke bërë kurrfarë testime dhe nuk jemi të informuar kush po bën testime në urë”, tha Durmishi. 

E qytetarë që të martën e frekuentuan urën, e shprehën nevojën që ajo të hapet sa më parë për qarkullim.

“Sa ma shpejt me e hap këtë vend. Kjo është tokë e jona. Është tokë e jona, nuk ka nevojë të bëhet bllokimi në tokë tonë”, tha qytetari Rrustem Xhemajli. 

“Është shumë e rëndësishme për popullatën, sa shumë afër është për një sëmundje me pas duhet rreth e rreth me shku, taksi me i marrë. Pse mos me u hapë? Për çka mos me u hapë? Kjo gjithë ka qenë e hapur, urë kryesore është kjo”, tha qytetarja Fatime Hyseni. 

Vitin e shkuar, Qeveria pati planifikuar që ta hapë për qarkullim Urën mbi Ibër, që e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun me shumicë serbe.

Për këtë synim janë kryer edhe testime, porse veprimi u pati përcjellë me reagime nga bashkësia ndërkombëtare. Në BE kanë thënë asokohe se çështja e hapjes së urës për qarkullim duhet të jetë temë diskutimi në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë