Ish-kryeministrit të Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, i është dhënë të enjten lamtumira e fundit. Ai është varrosur në Kompleksin e Dëshmorëve në lagjen “Velani” në Prishtinë. Figura e tij është çmuar lart gjatë mbledhjes komemorative, homazheve dhe ceremonisë së varrimit
Ish-kryeministri i Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, është varrosur të enjten në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani të Prishtinës, pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe shumë figurave të tjera.
Dy ditë pas vdekjes së tij të martën nga një sëmundje e rëndë, Bukoshit i është dhënë lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Bukoshi për gati një dekadë sa e ka udhëhequr qeverinë në ekzil ka punuar që çështja e Kosovës të ndërkombëtarizohet dhe të njihet e vërteta e Serbisë si një shtet antishqiptar.
“Doktor Bujari, ish-kryeministri Bukoshi, ka lënë mbresat më të mira te populli i Kosovës edhe me shërbimin e tij profesional si mjek, por edhe me devotshmërinë e tij si udhëheqës i ekzekutivit në ekzil”, ka thënë Kurti.
Paraprakisht, për ta nderuar jetën dhe veprën e Bukoshit, në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare është mbajtur mbledhje komemorative.
Shota Bukoshi, e bija e Bujar Bukoshit, ka folur për një anë të babait të saj, të cilin publiku nuk e ka ditur.
“Shumë prej jush e njihni atë çfarë babi ka bërë si mjek, si veprimtar politik për lirinë e Kosovës dhe shërbimin e tij si kryeministër i parë i Kosovës. Ne, familja e tij, natyrisht e njohim Bujar Bukoshin si person publik, por e njohim atë që shumica nuk e njeh, Bujarin si baba, bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë me skallperin e sallës së operacionit, aq ishte edhe i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm në ndjekjen e vizionit për vendin tonë”, ka thënë ajo.
Para se të varrosej, arkivoli me trupin e Bukoshit është vendosur në hollin e Kuvendit, ku shumë përfaqësues institucionalë dhe ata partiakë, por edhe qytetarë kanë bërë homazhe.
Me këtë rast, deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Armend Zemaj, e ka përshkruar Bukoshin si njeri që në ditët më të vështira për Kosovën është angazhuar për liri e pavarësi.
“LDK-ja e nderon figurën e doktor Bujar Bukoshit, si një atdhetar i devotshëm dhe profesionist shëndetësor, por edhe si një njeri që në ditët më të vështira që është dashur të dalë në ballë të proceseve, ka qenë një nga protagonistët në angazhimin për liri dhe pavarësi. Angazhimet e tij janë të njohura si në jetën private dhe atë profesionale dhe ne ruajmë kujtimin me të”, ka theksuar ai.
Bujar Bukoshi është angazhuar në skenën politike edhe pas çlirimit të Kosovës, si deputet, ministër e zëvendëskryeministër.
Ai ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare, pasi prej vitesh ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë.
Gjatë karrierës së tij politike, Bukoshi e pati udhëhequr Qeverinë e Kosovës në mërgim në periudhën 1991-1999. Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik, ai arsimin fillor e ka kryer në Suharekë, ndërsa të mesmin në Prizren. Studimet për mjekësi i ka përfunduar në Beograd teksa pas diplomimit ka punuar në Drenas dhe më vonë edhe në Repartin e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Bukoshi doktoroi në fushën e urologjisë mes viteve ’80 dhe më pas u kthye për të shërbyer në Spitalin më të madh të Kosovës në Prishtinë. Ai ka qenë njëri prej themeluesve të LDK-së, që është udhëhequr nga Ibrahim Rugova. Në vitin 1989, ai është zgjedhur sekretar i LDK-së. E një vit më vonë, ai është larguar me dhunë nga puna e tij si mjek, derisa dy vjet më pas është emëruar kryeministër i Republikës së shpallur pas suprimimit të autonomisë së Kosovës.
Bukoshi u pati larguar fillimisht për në Slloveni, teksa detyrën si kryeministër në mërgim më pas e ka ushtruar nga Gjermania. Pas luftës, ai ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë.