Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ish-kryeministri Bujar Bukoshi me qeverisjen në ekzil i ka bërë vend vetes në historinë e re politike të Kosovës.
Në një telegram ngushëllimi për vdekjen e Bukoshit, Kurti ka thënë se kumtimi i lajmit për vdekjen e ish-kryeministrit ia ka kthyer në mendje një mori kujtimesh e episodesh nga periudha e viteve të ’90-a të shekullit të kaluar, kur Bukoshi ishte kryeministër.
“Si qeveri në ekzil, qeveria e drejtuar nga Dr. Bukoshi ishte një qeveri e jashtëzakonshme, por ishte natyrshëm e jashtëzakonshme, meqenëse edhe konteksti i saj historik ishte i ndërtuar nga rrethanat e një kohe krejt të jashtëzakonshme, siç ishte edhe shteti ynë asaj kohe, Republika e Kosovës, si republika e parë dhe si një republikë e rezistencës. Pikërisht për shkak të rrethanave dhe kushteve aq të vështira për të vepruar politikisht në Kosovën e dekadës së mbrame të shekullit XX, angazhimi politik i Dr. Bujar Bukoshit dhe i gjeneratës së politikanëve të cilës i përkiste ai, ka një vlerë të veçantë mes brezave modernë të politikëbërësve shqiptarë”, ka shkruar Kurti në telegram. “Dr. Bujar Bukoshi, i ka bërë një vend më vete personalitetit të tij në historinë e re politike të Kosovës, për të cilin do të shkruajnë historianët në studimet e historisë së Kosovës, siç do të shkruajnë edhe për epokën kur ai veproi bashkë me të tjerët”.