LAJMET E MBRËMJES

Vdiq Bujar Bukoshi, mjeku që për tetë vjet e drejtoi Qeverinë në mërgim

Rrugëtimi i Bukoshit ka nisur fillimisht me angazhimin si mjek, për t’u bërë më pas bashkëthemelues i partisë së drejtuar nga Ibrahim Rugova, e për të shërbyer si kryeministër i Qeverisë në mërgim. E pas pavarësisë së Kosovës, ai ka ushtruar edhe funksionet e ministrit të Shëndetësisë dhe të zëvendëskryeministrit

Ish-kryeministri i Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi, ka vdekur të martën në moshën 78-vjeçare. 

Ai prej vitesh ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë karrierës së tij politike, Bukoshi e pati udhëhequr Qeverinë e Kosovës në mërgim në periudhën 1991-1999. 

Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik, ai arsimin fillor e ka kryer në Suharekë, ndërsa të mesmin në Prizren. 

Studimet për mjekësi i ka përfunduar në Beograd teksa pas diplomimit ka punuar në Drenas dhe më vonë edhe në Repartin e Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Bukoshi doktoroi në fushën e urologjisë mes viteve ’80 dhe më pas u kthye për të shërbyer në Spitalin më të madh të Kosovës në Prishtinë.

Ai ishte njëri prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është udhëhequr nga Ibrahim Rugova.

Në vitin 1989, ai është zgjedhur sekretar i LDK-së. E një vit më vonë, ai është larguar me dhunë nga puna e tij si mjek, derisa dy vjet më pas është emëruar kryeministër i Republikës së shpallur pas suprimimit të autonomisë së Kosovës.

Bukoshi u pati larguar fillimisht për në Slloveni, teksa detyrën si kryeministër në mërgim më pas e ka ushtruar nga Gjermania.

Pas luftës, ai ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë.

Një vit pas shpalljes së pavarësisë, Bukoshi është emëruar ministër i Shëndetësisë, funksion të cilin e ka ushtruar për dy vjet, teksa më pas është caktuar edhe zëvendëskryeministër për tre vjet të tjerë.

Pas vetes, Bukoshi ka lënë bashkëshorten dhe tri vajza. 

Në nderim të jetës dhe veprës së tij, të mërkurën Lidhja Demokratike do të organizojë një mbledhje komemorative.

Kontributi i tij në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë është vlerësuar e kujtuar, të martën në ditën e vdekjes së tij, nga liderë institucionalë e partiakë.

Teksa ka shprehur ngushëllime për familjarët, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Bukoshi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të dr. Bujar Bukoshit, një mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq. Dr. Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri”, ka thënë Osmani.

Rolin e tij në shtetformimin e Kosovës e ka vlerësuar po ashtu kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Bukoshi, miqve dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të dr. Bujar Bukoshit. Dr. Bukoshi ka qenë një figurë e rëndësishme në periudha kyçe të historisë sonë - si kryeministër në ekzil gjatë viteve ’90 dhe si njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Kontributi i tij do të mbetet pjesë e kujtesës institucionale dhe të historisë së shtetformimit të vendit tonë”, ka shkruar Krasniqi në një postim.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vlerësuar se angazhimi i tij në momentet më të vështira për Kosovën do të çmohet përjetësisht.

“Jeta dhe veprimtaria e tij janë mishërim i përkushtimit atdhetar dhe i angazhimit të palëkundur politik për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kontributi i tij në momentet më të vështira për vendin tonë është përjetësisht i çmuar. Dr. Bukoshi ishte ndër figurat themeluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas duke shërbyer edhe si sekretar i përgjithshëm në atë kohë. Me vizion dhe guxim, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë drejt lirisë. Figura e tij do të mbetet përherë pjesë e pandashme e historisë sonë shtetformuese dhe kujtimi për të do të jetojë ndër breza”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetet sociale.

Për vdekjen e Bukoshit, ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Bukoshi për ndarjen nga jeta të dr. Bujar Bukoshit. Personaliteti i tij është i rëndësisë së veçantë në historikun institucional të Kosovës, duke qenë pjesë e tyre në ekzil dhe më vonë edhe në liri”, ka thënë Haradinaj.

Ish-kryeministri në mërgim është kujtuar edhe nga ish-udhëheqësi i qeverisë në Shqipëri, Pandeli Majko, dhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.