Përfaqësues institucionalë kanë nderuar viktimat e masakrës së Bukoshit të Suharekës, e kryer 27 vjet më parë nga forcat serbe. Ata kanë theksuar se ky krim mbi civilët e zhvendosur është dëshmi shtesë e gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë
Dëshmi të gjenocidit e spastrimit etnik e kanë quajtur liderë institucionalë masakrën e Bukoshit të Suharekës që e kanë kryer forcat serbe 27 vjet më parë.
Tek ka nderuar 25 viktimat që janë nxjerrë nga kolona e civilëve të zhvendosur, ushtruesja e detyrës së presidentes ka folur edhe për qëndresën e shqiptarëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo çfarë ka ndodhur para 27 viteve këtu në Bukosh nuk është diçka e izoluar, pra është dëshmia e gjenocidit dhe spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në Republikën e Kosovës. Por qëndresa e shqiptarëve të Kosovës, guximi dhe po ashtu bindja që duhet të qëndrojmë të fortë, e ka detyruar Serbinë që të zmbrapset... jemi edhe pranë familjeve, të cilat edhe përkundër dhimbjes – e shumë prej tyre janë të mbijetuar të kësaj masakre – ata qëndruan të fortë”, ka thënë Haxhiu.
E ministri për Vlerat e Luftës, Andin Hoti, ka folur për rrethanat në të cilat është kryer masakra. Ai ka thënë se viktimat u ekzekutuan pa mëshirë.
“Krimi që ka ndodh në Bukosh, po edhe krimet që kanë ndodh në vendet e tjera – në Suharekë, Rahovec, Prizren dhe kudo qofshin në Kosovë – nuk janë thjesht krime lufte. Janë tendencë e pastër për gjenocid. Dhe këtë ka tentu Serbia të bëjë në Kosovë, ka tentu të bëjë gjenocid... Dhe këtë e tregon më së miri edhe Bukoshi, kur njerëzit janë marrë dhunshëm nga një kolonë, që po ashtu dhunshëm është krijuar për t’i larguar nga shtëpitë e tyre, dhe janë vendosur para një shkolle”, ka thënë Hoti.
Hoti ka bërë thirrje që ngjarje si masakra në Bukosh të mos harrohen dhe ka theksuar se pjesëtarët e forcave serbe që kanë kryer këtë krim duhet të përballen me drejtësinë vendore apo ndërkombëtare.
Më 3 maj të 1999-s në këtë fshat të Suharekës, forcat serbe kanë ndarë 25 civilë nga kolona e familjeve shqiptare, të cilët i kanë ekzekutuar më pas. Viktimat janë burra e djem nga mosha 5 deri në 85 vjeçe.