Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu në përvjetorin e masakrave në fshatrat e Pejës: Drejtësia është detyrim

albulena haxhiu

Të enjten u përkujtua masakra e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, ku më shumë se 100 civilë shqiptarë u vranë dhe masakruan nga forcat serbe. Liderët institucionalë e ata partiakë pasi bënë homazhe thanë se Serbia duhet të përballet me të vërtetën dhe të japë përgjegjësi para drejtësisë.

Drejtësi për masakrën e Qyshkut ku mbetën të vrarë më shumë se 100 civilë shqiptarë kanë kërkuar liderët institucionalë e ata partiakë në 27-vjetorin e saj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në këtë masakër, forcat serbe vranë dhe masakruan barbarisht 44 meshkuj shqiptarë, ndër ta më i riu 20-vjeçar dhe më i moshuari 70-vjeçar.

Përveç fshatit Qyshk, në mëngjesin e së njëjtës ditë, forcat serbe sulmuan edhe dy fshatra fqinje, Pavlanin dhe Zahaqin, ku u vranë dhjetëra civilë të pafajshëm.

Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan nga shtëpitë, ndërsa burrat u ndanë, u plaçkitën, u mbyllën në shtëpi dhe më pas u vranë. Pas krimeve, shtëpitë u dogjën në përpjekje për t’i mbuluar gjurmët.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se këto fshatra të Pejës mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar nga Serbia.

“Në këto fshatra u goditën njerëz të paarmatosur, banorë e mysafirë që lufta i kishte gjetur aty. U shuan jetë, u prekën familje të tëra, u dogjën shtëpi dhe u dëbuan civilë shqiptarë nga vendi i tyre. Drejtësia për këto masakra është detyrim ndaj familjeve, ndaj të mbijetuarve dhe ndaj Republikës sonë”, ka thënë Haxhiu.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se këto masakra mbeten ndër plagët më të rënda që ka përjetuar populli shqiptar.

“102 shqiptarë të paarmatosur u ekzekutuan pa mëshirë nga njësitet ushtarake e policore të shtetit serb, si hakmarrje ndaj humbjeve që po pësonin në frontet e luftës. Këto masakra janë dëshmi e rrugës së rëndë që kaloi Kosova deri te liria, por edhe e sakrificës së madhe të njerëzve tanë që nuk u përkulën kurrë përballë armikut”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet të përballet me të vërtetën dhe të japë përgjegjësi.

“Masakra e Qyshkut dhe ajo e Pavlanit mbeten nga krimet më mizore të planifikuara dhe ekzekutuara nga Serbia për të shfarosur shqiptarët e Kosovës. Serbia duhet të përballet me të vërtetën dhe të japë përgjegjësi të plotë para drejtësisë”, ka thënë Osmani.

Fshati ishte rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty u dëbuan më shumë se 400 civilë.

Për këto krime, dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar  dhe dënuar në Beograd.