Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit V. R., nën dyshimin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21, pas një mosmarrëveshjeje për motive ende të panjohura. I pandehuri dyshohet se fillimisht ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij.
Detaje të reja ka dhënë Gjykata Themelore, për ngjarjen tragjike të 9 tetorit në Livoç të Ulët të Gjilanit, ku mbetën të vrarë bashkëshortja e të dyshuarit dhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë.
Sipas përshkrimit të Gjykatës, i dyshuari, derisa ishte duke vozitur veturën, dyshohet se qëlloi me armë nga afër në drejtim të bashkëshortes së tij, e cila ishte ulur në ulësen e pasagjerit.
Më pas, ai u kthye në një rrugë tjetër dhe ndaloi pranë veturës ku ndodheshin vëllai i viktimës dhe dy persona të tjerë.
Sipas Gjykatës, pasi doli nga vetura me armë në dorë, i dyshuari u tha atyre: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.
Më pas, ai dyshohet se hapi zjarr në drejtim të tyre.
“I pandehuri fillimisht së bashku me të ndjerën shkon në fshatin Pozheran, Komuna Viti tek familja e të ndjerës, mirëpo kthehen menjëherë në drejtim të Gjilanit, ndërsa të dëmtuarit M. dhe R. B. me tani të ndjerin E. B. me veturën Pikap Opell Combo shkojnë pas tij me qëllim që të bisedojnë, në hyrje të fshatit Livoç i Ulët e tejkalojnë dhe ndalen ta presin, mirëpo i pandehuri me veturën Tiguan, ngjyrë e zezë vazhdon në drejtim të Gjilanit, gjatë së cilës kohe me armën e llojit Beretta, përderisa ishte duke vozitur, shtie në distancë të afërt në drejtim të bashkëshortes së tij, tani të ndjerës N. e cila ishte e ulur përpara, në anën e djathtë të pasagjerit duke e privuar nga jeta, pastaj kthehet përsëri në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç dhe veturën e ndal pas veturës Pikap ku ishin të dëmtuarit dhe tani i ndjeri, të cilët dalin nga vetura, ndërsa i pandehuri del nga vetura dhe ju thotë: “ unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra” dhe përnjëherë shtie në drejtim të tyre ku i dëmtuari R. arrin të ikë, ndërsa të dëmtuarin M. e plagos, mirëpo i njëjti arrin të ikë në një oborr të një shtëpie, mirëpo tani i ndjeri E. B. nuk arrin të ikë dhe të njëjtin e privon nga jeta në vendin e ngjarjes, pasi shtie disa herë në drejtim të tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Pas ngjarjes, i dyshuari e dërgoi bashkëshorten në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, para emergjencës, dhe e la aty. Më pas, sipas Gjykatës, ai shkoi dhe u dorëzua në polici.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi pre një muaji është i nevojshëm për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, duke konstatuar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme.
I pandehuri dyshohet për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivet e mosmarrëveshjes, sipas institucioneve kompetente, ende mbeten të panjohura.
Gjatë ditës së diel, familjarë dhe qytetarë të shumtë u kanë dhënë lamtumirën e fundit dy viktimave, në ceremoninë mortore në fshatin Pozheran të Vitisë.
I dyshuari, po ashtu, plagosi rëndë një person tjetër, që dyshohet të jetë djali i axhës së viktimave. Ai është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv të QKUK-së.
Një familjar i afërt i viktimave ka thënë për KosovaPressin se motivi i ngjarjes dyshohet të jetë xhelozia e bashkëshortit të viktimës.
Por ka thënë se më herët nuk kanë pasur probleme të theksuara familjare. Mes tjerash, ai bëri të ditur se djali tashmë i vrarë ishte djali i vetëm i familjes.
E Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se po i vazhdon hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.