Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Një muaj paraburgim për 65-vjeçarin e dyshuar për vrasje të rëndë

Gjykata- Gjilan

Prokuroria në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin B. D., e gjykata e ka pranuar atë. Prokuroria, pa dhënë detaje të tjera, ka njoftuar se në koordinim me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin tragjik, ku të dielën në fshatin Demiraj të Gjilanit u gjetën dy viktima

Një ditë pas arrestimit, i dyshuari për veprën penale “vrasje e rëndë”, B. D. ka dalë para Gjykatës Themelore në Gjilan, për rastin e ndodhur të dielën në fshatin Demiraj të Gjilanit, ku u gjetën dy viktima, A. D. dhe D. D.. 

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin, e gjykata e ka pranuar atë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, pa dhënë detaje të tjera, ka njoftuar se në koordinim me Policinë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për këtë rast.

B. D. është arrestuar të dielën si i dyshuar për vrasjen e djalit të tij, ndërsa të hënën ka dalë para gjykatës në Gjilan. 

Ndërkohë 27-vjeçari A. D., i cili u gjet i vdekur bashkë me foshnjën e tij në fshatin Demiraj të Gjilanit, më herët ishte dënuar për veprën penale të kanosjes ndaj të fejuarës së tij.

Ai kishte urdhër mbrojtës për shkak se e ka kanosur të fejuarën e tij. 

Sipas të dhënave të Gjykatës, ai ishte shpallur fajtor për veprën penale “Kanosja”- nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

Gjykata po ashtu ka njoftuar se 27-vjeçari kishte qëndruar për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, nën dyshimin për përdorim të substancave narkotike, konkretisht kokainës.

“Me datë 17.06.2026, Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë ka nxjerrë aktgjykim ndaj A. D. (Adonis Demirit), duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajsh. Në kuptim të nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi me burgim i zëvendësohet me dënim me gjobë prej 1.800 eurosh, të cilin është i detyruar ta paguajë brenda 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Pala e dëmtuar E. K. nuk i është bashkëngjitur ndjekjes penale dhe nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më pas, gjykata ia kishte shqiptuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

Ndërsa, më 11 prill të këtij viti, gjykata kishte nxjerrë aktvendim për shqiptimin e urdhrit mbrojtës emergjent ndaj palës A. D., në kohëzgjatje prej 12 muajsh.

E sipas disa banorëve të fshatit Demiraj të Gjilanit, babai B. D. kishte pasur raste kur e kishte telefonuar vetë Policinë, për shkak të problemeve që kishte me djalin, tashmë viktimën 27-vjeçar.

Sipas banorëve, djali ka qenë i fejuar, por më vonë është ndarë nga partnerja.