Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vëlla e motër vriten me armë zjarri në Gjilan, i dyshuari dorëzohet në polici

Dy të vrarë e një i plagosur në Gjilan

Dy persona janë vrarë e një është plagosur nga të shtënat me armë në Livoç të Ulët të Gjilanit të premten. I dyshuari është dorëzuar.

Siç ka njoftuar Policia, në vend të ngjarjes brenda veturës është gjetur i vdekur një burrë 30-vjeçar, ndërsa në Spitalin e Gjilanit është dërguar pa shenja jete një grua po ashtu rreth 30-vjeçare. 

Ndërkohë, një tjetër person që është lënduar nga arma e zjarrit, është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. E në mbrëmje, Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK, ka thënë se i plagosuri është në gjendje të rëndë. Ai ka bërë të ditur se personi është dërguar në sallë operative dhe më pas do të vazhdojë tretmanin në Intensivë. 

Sipas njoftimit të Policisë, mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston lidhje familjare. E në bazë të informacioneve që KOHA ka marrë nga terreni, V.R. dyshohet se e ka vrarë gruan e tij dhe vëllain e gruas, dhe ka plagosur axhën e gruas.  Sipas banorëve të fshatit, tre personat po qëndronin në veturë kur i dyshuari ka ardhur me veturë tjetër duke shtënë në drejtim të tyre.

Deri tash, nuk dihet motivi që ka çuar në këtë ngjarje.

Policia ka thënë se i dyshuari është dorëzuar, ndërsa është sekuestruar edhe arma që dyshohet se u përdor në rast.

Autoritetet kanë thënë se po kryejnë hetime për të sqaruar plotësisht rastin.

Presidentja Justina Shiroka-Pula ka reaguar në një komunikatë zyrtare nga Presidenca duke ftuar organet e drejtësisë që rastin ta hetojnë me përkushtim të plotë dhe të zbardhin të gjitha rrethanat.
Tek ka shprehur ngushëllime, Shiroka-Pula ka thënë se “asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut” e se “askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes”.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se është tronditur nga lajmi për vrasjen e një gruaje dhe një burri në Livoç të Ulët të Gjilanit, si dhe plagosjen e një personi tjetër. Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave dhe ka shprehur pritjen që institucionet përgjegjëse të zhvillojnë hetim të plotë, të paanshëm dhe profesional, në mënyrë që të zbardhen të gjitha rrethanat e këtij krimi dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Haxhiu ka theksuar se në këto momente të rënda, familjeve të prekura duhet t’u ofrohet gjithë mbështetja e nevojshme, duke respektuar privatësinë dhe dinjitetin e tyre.

Prokuroria jep detaje për vrasjen e dyfishtë në Gjilan

1 muaj më parë / 9 tet 2026 22:51
vrasja e dyfishte ne Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan në një komunikatë për media ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë në Livoç të Ulët në Gjilan të premten.

Në njoftim theksohet se i dyshuari është ndaluar për veprat vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Komunikata ka dhënë detaje për lidhjet familjare të të dyshuarit me viktimat.

V.R. (38-vjeç) nga Gjilani ka vrarë bashkëshorten N.B. (27-vjeçare) dhe vëllain e saj E.B. (31-vjeçar), ndërsa ka plagosur djalin e xhaxhait të bashkëshortes, M.B. (48-vjeçar).

Prokuroria ka njoftuar se motivi mbetet akoma i panjohur.

Sipas njoftimit, vepra është kryer me armë “Bereta”, me leje të skaduar. Autoritetet kanë kryer kontrolle në tri lokacione të pronave të të pandehurit dhe ka sekuestruar prova materiale.

Prokuroria ka thënë se i pandehuri nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk ka pasur ndonjë rast të raportuar për Dhunë në Familje.

Ky institucion është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ta ndriçuar plotësisht rastin.