Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Suahrekë

Aksident-Vrasje-Policia

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e rëndë që ndodhi të enjten parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.

Paraburgimi për RR.H. thuhet se është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë dhe se me dashje ka vënë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03 min, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë. I pandehuri RR.H., pas një mosmarrëveshjeje të çastit lidhur me parkimin e automjeteve, me dashje ka privuar nga jeta viktimën S.D., si dhe me dashje ka vënë në rrezik edhe jetën e bashkëshortes së viktimës dhe vajzës së tyre të mitur, të cilat ishin prezente në momentin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.

I pandehuri duke përdorur armën e zjarrit të llojit “Sig Sauer”, thuhet se ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, fillimisht përmes xhamit të automjetit dhe më pas duke vazhduar të shtjerë në drejtim të tij, edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. 

“Si pasojë e plagëve të marra, viktima, pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në QKMF në Suharekë, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku nga ana e mjekëve është konstatuar vdekja e tij. Pas kryerjes së veprës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të automjetit të të pandehurit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e dyshuar si mjet të kryerjes së veprës penale, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë. Ndërsa, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë.

Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri rezulton të ketë qenë i dënuar më parë nga autoritetet zvicerane për veprën penale të vrasjes.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura paraprake hetimore është në fazën fillestare, dhe i pandehuri pas momentin kritik është arratisur nga vendi i ngjarjes derisa është lokalizuar dhe arrestuar nga hetuesit policor, dhe me lënien në masa tjera ekziston rreziku i arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, thuhet në njoftim. 

“Për Gjykatën është e bazuar dhe e qëndrueshme masa e paraburgimit në këtë fazë, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, i cili për shkak të një mosmarrëveshje, në një vend publik të frekuentuar nga shumë njerëz, me gjakftohtësi shtien me armë disa herë në drejtim të viktimës, duke vënë në përdorim armën për të cilën ka poseduar leje për shenjtari, por e përdor në kundërshtim me Ligjin”, thuhet tuje në njoftim.

Gjykata ka vlerësuar se pretendimet e palëve në seancën dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, por duke marrë parasysh peshën e veprave penale për të cilat dyshohen i pandehuri, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer këto vepra penale, në rastin konkret vetëm me masën e paraburgimit, do të sigurohet prezenca e të pandehurit në këtë fazë të procedurës, dhe do të sigurohet mbarëvajtja e procedurës paraprake e papenguar.