Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Trashëgimia e Bekim Fehmiut me adresë të përhershme në Beograd

Trashëgimia e Bekim Fehmiut

Ekspozita e përhershme me trashëgiminë e Bekim Fehmiut është inauguruar në “Kinotekën jugosllave” në Beograd. Foto: Tanjug

Rrëfimi i plotë i trashëgimisë së aktorit të madh Bekim Fehmiu, tashmë ka një adresë të përhershme: “Kinotekën jugosllave” në Beograd. Të mërkurën mbrëma, me ceremoni solemne, është hapur ekspozita e përhershme me gjësende personale të aktorit, tok me dy ekspozita të tjera kushtuar jetës dhe veprës së tij sikurse edhe me shfaqjen e disa prej filmave ku ka luajtur ikona botërore e artit të shtatë. Në imazhet që kanë përcjellë mediat e Serbisë duket një ceremoni madhështore, e të dhënat për atë se çfarë përmban ekspozita, janë dëshmi se nëpërmjet saj, portreti për Bekim Fehmiun dhe trashëgimia e tij, shpalosen në tërësi. 

Në ceremoninë, ku morën pjesë bashkëshortja e tij, aktorja Branka Petriq, si dhe djali Hedon Fehmiu me familjen e tij, ushtruesi i detyrës së drejtorit të “Kinotekës jugosllave”, Aleksandar Erdelanoviq, citohet të ketë thënë se është nder i madh hapja e ekspozitës kushtuar aktorit të madh. Erdeljanoviq ka rikujtuar se Fehmiu në vitin 1987 “vendosi të heshtte përballë stuhive të luftës“, duke shtuar se “vepra e tij do të jetojë përgjithmonë“. Viti 1987 shënon braktisjen e në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke ia dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. 

Branka Petriq, citohet të ketë thënë se ekspozita përfaqëson “lavdinë e jetës“ së Fehmiut, duke vënë në dukje se ai ishte dikush që “kamera e adhuronte“ dhe se ishte “shqiptari i parë nga Kosova që përfundoi Akademinë e Arteve Dramatike“. Ajo ka rikujtuar se Fehmiu i bashkonte kulturat e këtyre hapësirave dhe se “legati i Bekimit është e gjithë jeta e tij“, e karakterizuar nga përkushtimi dhe dinjiteti.

Trashëgimia e Fehmiut është përfshirë në ekspozitën e përhershme të “Kinotekës...” Përveç çmimeve, në vitrinat e reja janë vendosur edhe disa gjësende personale, të cilat dëshmojnë për karrierën e tij shumëdekadëshe të tij. Ndër to, për herë të parë është ekspozuar kapela e Beli Borës nga filmi “Mbledhësit e puplave“, njëri prej roleve më të shquara të Fehmiut. Aty janë nënshkrimet e anëtarëve të ekipit të filmit. Ekspozita “Karriera dhe jeta“ paraqet një përzgjedhje të fotografive të digjitalizuara, telegrameve dhe dekoratave nga arkivi familjar i aktorit, ndërsa ekspozita multimediale përbëhet nga sekuenca filmike, tekste, fotografi dhe postera. Pas ceremonisë solemne është shfaqur filmi “Aventurat e Odiseut“, nën regji të Franco Rossit, duke hapur ciklin filmik kushtuar Fehmiut.

“Në kuadër të 90-vjetorit është bërë një punë madhështore nga ‘Kinoteka jugosllave’. Është përgatitur edhe një katalog me shumë materiale, ka pasur të pranishëm alamet aktorë, regjisorë e artistë. Ka qenë fantastike. Është diçka që na mungon neve, e që mund të bëjmë diçka të tillë edhe për Abdurrahman Shalën, Besim Sahatçiun, Istref Begollin, Farukun, e të tjerët”, ka thënë Milazim Salihu, mik i kahershëm i aktorit dhe familjes Fehmiu, i pranishëm në ceremoni. 

Pak ditë para ceremonisë së “Kinotekës jugosllave”, ajo do të paralajmërohej si një ekspozitë me trashëgiminë e “aktorit jugosllav” Bekim Fehmiu. Nëse pala shqiptare do të duhej të reagonte për këtë, Salihu dhe dramaturgu Jeton Neziraj kanë përgjigje. 

“Pse duhet të reagojmë? Pse? Ai është artist. Ai ka pasur pasaportë edhe në Amerikë, edhe në Evropë, edhe në Serbi, edhe në Jugosllavi. Ai është deklaruar puro shqiptar, madje pak shqiptarë janë më shqiptarë se Bekim Fehmiu. Ai kurrë nuk e ka mohuar. As në Amerikë nuk kanë mundur t’ia ndërrojnë emrin. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Jugosllavia ka qenë e të gjithëve”, ka thënë Salihu. Ka rikujtuar se ai ka qenë shqiptar dhe këtë e ka dëshmuar gjatë gjithë jetës së tij. “Edhe në Serbi është njohur si shqiptar. Edhe mbrëmë në ekspozitë e quajtën shqiptarin më të madh, shqiptarin e parë që e ka kryer akademinë e filmit. Midis Beogradit. Në fjalimin e saj, Branka Petriq, përmendi se ka mysafirë nga Kosova”, ka thënë ai. 

Një debat si ky, në lidhje me përkatësinë, Jeton Neziraj e ka cilësuar “të parëndësishëm dhe artificial. 

“Çështjet që lidhen me identitetin janë natyrisht komplekse dhe ato nuk mund të reduktohen e as të observohen vetëm përmes dioptrive nacionale, e as vetëm nga prizmi i së tanishmes. Bekim Fehmiu ka qenë aktor shqiptar, i shkolluar në Beograd, karrierën e ka zhvilluar në atë që quhet si ‘kinematografi Jugosllave’, por ka pasur edhe karrierë të bujshme ndërkombëtare”, ka thënë Neziraj.

Sipas tij, përkufizimi më i saktë do të duhej të ishte “Aktor shqiptar, me karrierë të bujshme në kinematografinë ish-Jugosllave e ndërkombëtare". 

“Në anën tjetër, kush jemi ne që të vendosim këso përkufizimesh për të? Dhe përse do të duhej? Çfarë na shërbejnë? Ajo çfarë na shërben, them, është promovimi, festimi, njohja e mirënjohja e krijimtarisë së tij prej një artisti gjenial, si diçka që mund të shërbej si frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka thënë Neziraj. 

Për brezat e ardhshëm së paku tash për tash, emri i Bekim Fehmiut në Kosovë nuk do të përmendet në një çmim vjetor. Aty ku trashëgimia e tij s’e ka një adresë të përhershme përkundër premtimeve të zyrtarëve shtetërorë.