Janë ekzekutuar shtesat prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët nga Qeveria në detyrë, në kuadër të Pakos për përballje me inflacionin. Këtë vendim disa qytetarë e kanë cilësuar si ndihmë të mirëseardhur, ndërsa të tjerë si veprim me prapavijë zgjedhore. Të martën është hapur edhe afati për aplikimin e studentëve, por nuk dihet ende se kur do të hapet aplikimi për rreth 250 mijë punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën një mijë euro, që pritet të përfitojnë nga kjo masë
Qeveria në detyrë ka nisur të martën ekzekutimin e shtesave prej 100 eurosh për pensionistët dhe fëmijët, si pjesë e Pakos për përballje me inflacionin.
Derisa institucionet e kanë paraqitur këtë masë si mbështetje për përballim të çmimeve të rritura, disa qytetarë shtesat i kanë cilësuar si tentim për blerje votash.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po mendoj që për momentin është një lloj ndihme për familjet skamnore mirëpo rritja e çmimeve tjetër kah, kjo d.m.th. pak e arrin efektin. Duhet të ngrihen pensionet, ndihmat sociale, pagat e punëtorëve që janë duke punuar e jo kështu… plus në këtë kohë bash para zgjedhjeve, kësajna po i vjen era blerje e votës”, ka thënë qytetari Vesel Veseli.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe qytetari Ruzhdi Zeqiri.
“Blerje e votës… se me qenë për bajram qysh thoshte ishin kry. Bajrami shkoi, sot është puna e harxhimit të atyre parave për bajram e tani çka?”, ka thënë ai.
Kritika për kohën e zgjedhur që kjo pako të zbatohet, janë shprehur edhe nga partitë opozitare.
Por ka edhe qytetarë që e kanë mbështetur vendimin e Qeverisë në detyrë.
“Është një vendim shumë i mirë për të cilin mund të thonë kritika ata që për 20 vjet ishin në pushtet e nuk ju ra në mend me i nda. E tash ky që po i ndan nuk ka asnjë të keqe, kush është kundër të mos i marrë”, ka thënë një qytetar për KTV-në.
Mbi 73 milionë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës këto pagesa.
Përfitues të kësaj mbështetjeje janë mbi 400 mijë fëmijë dhe më shumë se 300 mijë përfitues të skemave pensionale, përfshirë pensionistët, kategoritë e dala nga lufta dhe personat me nevoja të veçanta.
Të martën po ashtu është hapur edhe afati për aplikimin e studentëve përmes platformës e-Kosova.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se aplikimi mbetet i hapur deri më 5 qershor.
“Pra hyni në eKosova, shërbimet dhe kategoria Familja, aty mund ta gjeni formularin për aplikim. Njëri formular është për studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës ndërkaq formulari tjetër është për ata që nuk e kanë nënshtetësinë mirëpo që studiojnë në institucionet e arsimit të lartë. Aplikimi mbetet i hapur deri më datën 5 qershor”, ka thënë Murati.
Por nuk dihet ende se kur do të hapet aplikimi për rreth 250 mijë punëtorët e sektorit privat me pagë mujore nën 1 mijë euro, që pritet të përfitojnë nga kjo masë.
Qeveria dhe Ministria e Financave nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës lidhur me këtë çështje.
E të hënën janë ekzekutuar edhe shtesat me rritje prej 500 eurosh për lehonat.
Edhe vitin e kaluar, Qeveria pati ekzekutuar pagesa të ngjashme në prag të proceseve zgjedhore.
Tri ditë para rundit të dytë të zgjedhjeve lokale ishin ndarë nga 100 euro për grupin e parë të studentëve, ndërsa katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, për grupin e dytë të studentëve.