LAJMET E MBRËMJES

Digjet gjeneratori i MMPHI-së, zjarrfikësit thonë se reduktimet e rrymës shtojnë rreziqet

Zjarr e shumë tym ka pasur afër këtij objekti të Ministrisë së Infrastrukturës rreth orës 11 e 30. Të lënduar nuk ka pasur, derisa flakët janë shuar nga zjarrfikësit brenda rreth 20 minutash.

Fillimisht zjarrfikësit është dashur ta çaktivizonin gjeneratorin e padjegur që e kishin gjetur duke punuar

“Kur erdhëm këtu ka qenë çdo gjë në flakë, në zjarr. Rreziku më i madh që na paraqitet shpeshherë dhe e konsiderojmë ne si rrezik është elektriciteti, d.m.th. rryma dhe vetë gjeneratorët janë prodhues të saj. E patëm fillimisht të vështirë ta ndalnim gjeneratorin tjetër, i cili prodhonte vazhdimisht rrymë ose më saktë ishte i aktivizuar. Provova ta ndalja në mënyrë emergjente, mirëpo nuk reagoi. Me ndihmën e disa punëtorëve këtu e shkyçëm dhe vazhduam procedurat”, tha Behar Shala, udhëheqës i ndërresës së Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës.

Udhëheqësi i Njësisë së Zjarrfikësve të Prishtinës, Behar Shala, ka thënë se raste të tilla janë shtuar si pasojë e ndërprerjeve të rrymës.

“Ditën e premte të javës së kaluar gjeneratori në Komunën e vjetër ka qenë në situatë të ngjashme, mirëpo zjarri ishte në përmasa fillestare, ku falë punëtorëve që kanë intervenuar me aparat dhe kemi hyrë me dy ekipe me një të stacionit qendër dhe një tjetër B që vjen prej “Kodrës së Trimave”. Kështu që kemi qenë dy ekipet dhe është lokalizuar zjarri, mirëpo po, janë të shpeshta këto kohë të reduktimeve të mëdha”, tha Shala.

Shala ka thënë se zjarrfikësit po përpiqen t’u përgjigjen të gjitha kërkesave, pavarësisht se janë me numër të vogël të personelit. Këto ditë ata shumë shpesh u dalin në ndihmë qytetarëve që ngecin në ashensorë.