Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që të enjten mbrëma e kanë shkaktuar zjarrin në një ndërtesë të banimit kolektiv në lagjen “Emshir” të Prishtinës. Ndonëse të lënduar nuk ka pasur, zyrtarët komunalë kanë thënë se dëmet materiale janë të mëdha, por kanë premtuar kompensim
Shtatë orë u janë dashur ekipeve të zjarrfikësve për ta shuar komplet zjarrin, i cili të enjten në mbrëmje e ka kapluar kulmin e një ndërtese banimi kolektiv në lagjen “Emshir” të Prishtinës.
Në një videoxhirim të siguruar nga KOHA janë shfaqur pamje të një banori tek ka bërë përpjekje për t’i fikur flakët, që në nisje të tyre. E, më pas, zjarrëfikësve u janë dashur shumë orë për ta kryer misionin.
“Na informatën e kemi marrë në orën 20:12 ose 08:12. Zjarri komplet është shuar rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa një ekip kujdestar ka qëndruar deri në orën 07:36 në mëngjes”, ka deklaruar Malë Gashi, komandanti i brigadës së zjarrfikësve të Prishtinës.
E Rexhep Ajeti, banon afër ndërtesës së kapluar nga flakët, ka thënë se falë ndërhyrjes nuk ka pasur viktima në këtë ngjarje.
“Janë mundu banorët me ndalë, pastaj është përhapë me të madhe, i kemi lajmërua zjarrfikësit, policinë. Mirëpo, për shkak që objekti është i lartë, flakët vinin duke u rritur. Ka qenë vështirë, sepse kur i sheh në atë gjendje, duke u djegur objekti e banorët në ballkon lart, është pak e vështirë”, është shprehur ai.
Persona të lënduar, si pasojë e zjarrit, nuk ka pasur.
Lulzim Fushtica, drejtor i sigurisë dhe emergjencave në Prishtinë, ka theksuar se dëmet materiale janë të mëdha.
“Me vendim të prokurorit ka filluar hetimi i shkaktarit të zjarrit dhe kjo është faza e parë. Pasi të përfundon hetimi dhe fillojnë të gjenden shkaqet, atëherë do të vijë edhe komisioni për vlerësimin e dëmeve”, ka thënë Fushtica.
Pas zjarrit janë akuzuar autoritetet komunale për mungesë të mbikëqyrjes gjatë ndërtimeve të larta, meqë zjarrëfikësit kanë pasur vështirësi që t’i qasen katit në të cilin ka shpërthyer zjarri.
“Intervenimi ka qenë shumë i vështirë, sepse edhe lartësia e bën të veten... Pjesa e kulmit ka qenë e vështirë, meqë është dashtë me demolu pjesë të kulmit që të mos shpërndahet zjarri”, ka thënë Gashi.
E, profesori i inxhinierisë së ndërtimit, Naser Kabashi, ka theksuar se qasja në ndërtesa është element kyç për shuarjen e zjarrit.
“Element shumë i rëndësishëm sa i përket ndërtimit të lartë, është qasja e zjarrfikësve apo personave për shuarjen e zjarrit. Qasja, sepse është element krucial, sa mundet që t’i ofrohemi një objekti që t’i ndërmarrin hapat për mbrojtje apo evitim të zjarrit, e sidomos me objektet me lartësi të madhe”, ka thënë ai.
Krahas qasjes, njohësi i çështjeve emergjente, Tahir Ahmeti, e ka shprehur mendimin se siguria në këtë ndërtesë varet edhe nga elemente të tjera.
“Ndërtesat e larta duhet të jenë të projektuara me masa të avancuara mbrojtëse nga zjarri, si: detektorë, sprinklera, shkallë emergjente. Por siguria varet nga mirëmbajtja, zbatimi i kodit të ndërtimit dhe edukimi i banorëve. Lartësia e rrit ndjeshëm kohën e depërtimit dhe vendosjes së pajisjeve, duke e ulur efikasitetin e ndërhyrjes dhe duke e shtuar rrezikun për banorët dhe zjarrfikësit”, ka thënë Ahmeti.
Pas përhapjes së zjarrit, banorët e lagjes “Emshir” në Prishtinë janë përballur me mungesë të furnizimit me energji elektrike.