Seanca e shqyrtimit fillestar dështoi për shkak se prokuroria nuk ua ka ofruar shkresat e lëndës as avokatëve e as të pandehurve. Këtë çështje e ngriti edhe i dyshuari Pantiq, por edhe avokati i Zariqit, Dejan Vasiq. Të pandehurit akuzohen se si policë në rajonin e Istogut, gjatë luftës, kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, u dërguan të hënën në gjykatë, pasi prokuroria i mban ata përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998-1999 në Komunën e Istogut.
Por, gjykimi nuk nisi. Seanca e shqyrtimit fillestar dështoi për shkak se prokuroria nuk ua ka ofruar shkresat e lëndës as avokatëve e as të pandehurve.
Këtë çështje e ngriti edhe i dyshuari Pantiq, por edhe avokati i Zariqit, Dejan Vasiq.
“Unë jam në burg tash e 13 muaj, asnjë dokument nuk e kam marrë. Hiç asgjë”, u shpreh Pantiqi.
“Edhe pas një viti në paraburgim, ai nuk e di as për çfarë është i dyshuar, as për çfarë është i akuzuar”, shtoi avokati Vasiq.
Vazhdimi i seancës është caktuar për 7 tetor, kur do t’u lexohet aktakuza dy të dyshuarve dhe do ta kenë rastin të deklarohen se a e pranojnë fajësinë.
Aktakuza e ngritur më 1 shtator, Pantiqin e mban përgjegjës për vrasje të shumta të civilëve shqiptarë, në kohën sa ishte kryeshef i Stacionit Policor në Istog.
Sipas aktit akuzues, gjatë një operacioni të forcave policore, nën udhëheqjen e Pantiqit, në fshatin Shushicë të Istogut, u vranë 9 anëtarë të familjes Salihaj më 29 gusht 1998.
E në fshatin Studenicë, sipas aktakuzës, forcat policore serbe, të udhëhequra nga Pantiqi, sulmuan familjen Lipaj më 13 prill 1999 dhe lanë të vrarë 14 civilë, 8 prej tyre gra, më e reja 13-vjeçare.
Trupat e pajetë u gjetën pas më shumë se dy muajsh, në një bunar.
“Këto gra dhe fëmijë kishin vendosur që të shkojnë në shtëpi për të përgatitur bukë për anëtarët e tjerë të familjes, mirëpo nga ajo ditë, më nuk u dit asgjë për fatin e këtyre civilëve, deri më datën 25.06.1999, kur trupat e tyre u gjetën të vrarë në bunarin e oborrit të shtëpisë së Sali Zeqirajt nga familjarët e tyre, kurse me ndihmën e KFOR-it spanjoll është bërë tërheqja e trupave nga bunari dhe identifikimi i tyre”, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza, Pantiqin e mban përgjegjës edhe për dy përdhunime, të një burri dhe të një gruaje.
“Forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, e kidnapuan viktimën me pseudonimin “A1’’, një civil i nacionalitetit shqiptar, i gjinisë mashkullore dhe e dërguan në burgun e Gjurakocit, i cili fillimisht ishte marrë në pyetje nga disa zyrtarë të këtij stacioni me rroba civile dhe gjatë qëndrimit disaditor në burg, ishte marrë nga disa pjesëtarë të policisë dhe ishte dërguar në një vend të posaçëm të objektit të burgut, ku ishte dhunuar seksualisht”, thuhet tutje në aktakuzë.
I dyshuari tjetër, Zarko Zariq, gjatë luftës, ka qenë polic në Istog. Sipas aktakuzës, Zariqi ka marrë pjesë në dëbimin e popullsisë civile, djegie të shtëpive, por edhe vrasje.
“Pastaj i pandehuri Zharko me policët e tjerë kishin hyrë brenda në shtëpi dhe në dhomën ku po qëndronte Ganiu e kanë vrarë dhe kanë dalë nga shtëpia duke u larguar, kurse Arifi dhe Isa ishin kthyer brenda në shtëpi dhe në atë moment e kishin parë Ganiun të vrarë dhe të prerë në fyt”, thuhet në aktakuzë.
Momir Pantiq u arrestua më 4 gusht të vitit të kaluar, në pikën kufitare në Merdar. E Zariqi u arrestua një ditë më vonë. Që atëherë, dy të dyshuarit janë në paraburgim.
Pas arrestimeve, pati reaguar Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.