LAJMET E MBRËMJES

Dendias: Të zbatohen marrëveshjet e arritura në dialog

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Dendias, ka bërë thirrje për ulje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai tha se dëshiron ta përçojë mesazhin e njëjtë si në Beograd, ku ishte për vizitë një ditë më parë.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjet ligjërisht të obligueshme dhe sipas ligjeve ndërkombëtare. Sipas marrëveshjes së arritur, të mbështetur nga BE-ja nëntorin e kaluar, që të mos ketë rrezik dhe tensione. Ajo që është arritur deri më tani është e rëndësishme të zbatohet nga të dyja palët. Më lejoni të them se ky ishte edhe mesazhi im për Beogradin dje”, tha Dendias.

Greqia është njëra prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Qëndrimi ndaj statusit u shpërfaq edhe në simbolika.

Konferenca e shtypit mes ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Nikos Dendias u organizua në një qosh të sallës e jo në pjesën ballore ku ato mbahen. Simbolet shtetërore nuk u panë në të, përpos flamurit të Kosovës në sfond të kryediplomates.

E, ndryshe prej prezantimit të takimeve në Serbi, në fotografinë me të cilën Dendias njoftoi për takimin me homologen e tij në Prishtinë, nuk shihet flamuri i Kosovës dhe nuk përmendet as emri i shtetit. Ngjashëm kishte vepruar edhe kur kishte treguar në qershor për takimin me presidenten Vjosa Osmani.

Megjithëkëtë, ministrja Gërvalla tha se me homologun e saj grek ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, por edhe për çështjet që lidhen me dialogun.

“Roli i Greqisë është shumë i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet edhe me Serbinë, me qëllim që më pastaj të mund të pasojë normalizimi në vend të përshkallëzimit”, tha Gërvalla.

Në konferencën për shtyp nuk u lejua që t’u bëhen pyetje Gërvalles e Dendiasit.

Kryediplomati grek është pritur edhe nga kryeministri Albin Kurti. Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës është theksuar se me Dendiasin kreu i Ekzekutivit ka diskutuar për perspektivën evropiane, aspiratat për integrim në organizatat ndërkombëtare dhe për çështjet aktuale.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një drekë pune ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. U bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, ndërsa u theksuan raportet e shkëlqyeshme ekzistuese ndërmjet të dyja vendeve. Kryeministri Kurti ritheksoi perspektivën evropiane të vendit tonë, si dhe aspiratat e Republikës së Kosovës për integrimin e mëtutjeshëm në organizata ndërkombëtare. U bisedua për çështjet aktuale, zhvillimet rajonale, si dhe perspektivën zhvillimore dhe integruese të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.