Arbëri

Dendias takon Osmanin e Kurtin, thotë se mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka qëndruar gjatë ditës në Prishtinë. Ai është pritur në takime të ndara nga presidentja Osmani e kryeministri Kurti. Pas takimit me Dendiasin kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Greqia mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Vizita që e realizoi të dielën ishte e gjashta me radhë në Kosovë që kur e mori mandatin në vitin 2019.

Për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi ka diskutuar gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ,me krerët kosovarë në takimet e ndara që pati me krerët e institucioneve.

Me të dalë nga një drekë pune me të, kryeministri Albin Kurti, tha se Greqia e mbështet Kosovën në integrimin e saj në BE dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Greqia është mbështetëse e liberalizimit të vizave për Kosovën, e integrimit evropian dhe gjithashtu e normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra ne gjithmonë mund të llogarisim në mbështetjen e Greqisë për familjen e madhe evropiane e cila është garantuesja më e mirë për kontinentin tonë si për paqe e siguri, ashtu edhe për demokraci dhe mirëqenie”, ka thënë Kurti.

E presidentja Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në Facebook ka bërë të ditur se me Dendiasin, ka biseduar, ndër të tjera, lidhur me forcimin e bashkëpunimit dhe dialogun.

“Diskutuam për përkushtimin tonë të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë, për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, ka thënë Osmani.

Në postimet që i ka shpërndarë në Twitter pas takimeve me Osmanin, Kurtin dhe homologen e tij, Donika Gërvalla, ministri grek po ashtu ka bërë të ditur se ka biseduar për zhvillimet rajonale dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo ishte vizita e tij e gjashtë në Kosovë prej se ai mori detyrën e ministrit të Jashtëm.

Vizitat e tij të shpeshta në Kosovë kanë bërë që të rriten spekulimet për njohjen nga Greqia, por se ai nuk është përgjigjur asnjëherë qartë për atë se kur do ta njohë republika helene Kosovën.

Ministria e Jashtme e Greqisë në udhëheqjen e Dendias ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të Brukselit edhe gjatë tensioneve në veri, derisa së fundi edhe i ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që ta pranojnë propozimin franko-gjerman dhe të punojnë në drejtim udhërrëfyesit të zbatimit të tij.