Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias. Megjithatë për këtë çështje s’ka folur edhe ministri grek që ka thënë se ky shtet po punon për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, Kurti ka folur në takimin me Dendiasin për rolin e politikës së jashtme greke duke ia kërkuar sërish njohjen e Kosovës.
“Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë, si vend i rëndësishëm i rajonit, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai rikonfirmoi përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, veçanërisht në Programin e Partneritetit për Paqe. Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ritheksoi se nga ai duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, thuhet në komunikatën e Qeverisë për takimin Kurti-Dendias.
Ndërkaq, Dendias thuhet se ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë së Greqisë për të shtuar bashkëpunimin ekonomik dhe në fusha të tjera, por komunikata s’përmend qëndrimin e Greqisë për njohjen e Kosovës.
“Ai (Dendias) tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shtoi se shteti grek do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatë.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te situata në Ukrainë pas invazionit dhe agresionit rus dhe ndikimi që mund të ketë në destabillizimin e Ballkanit Perëndimor, sipas Qeverisë.
-
Dendias takon Osmanin e Kurtin, thotë se mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi
-
Kurti i kërkon Greqisë përkrahje për integrimin e Kosovës në organizata rajonale
-
Kurti: Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën
-
Ministri i Jashtëm i Greqisë: Do ta ndihmojmë Kosovën në rrugën evropiane
-
Kurti e kryeministri grek diskutojnë për rritje të bashkëpunimit