Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet sanksionimi i Serbisë, shkaku i shkeljes së marrëveshjeve

Gjatë pjesëmarrjes në forumin ekonomik në Delphi të Greqisë, kryeministri Albin Kurti ka shprehur kërkesën që Marrëveshja bazë e arritur me Serbinë të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime. Kërkesën kryeministri Kurti e ka shtruar gjatë takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, në të cilin u diskutua për takimin e 2 majit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Në Prishtinë është kërkuar edhe që BE-ja ta sanksionojë Serbinë, shkaku i shkeljes së marrëveshjeve

Zbatimin e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime të Marrëveshjes bazë të arritur me Serbinë, si dhe të Aneksit të zbatimit të saj e ka kërkuar të shtunën kryeministri Albin Kurti gjatë takimin me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Temë diskutimi në takimin që u mbajt në kuadër të ditës së dytë të Forumit Ekonomik në Delphi të Greqisë, sipas njoftimit nga Qeveria, ishin pritjet nga takimi i 2 majit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, rezultatet dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës të dielën e javës së kaluar, nevojën për zbatim të plotë, pa vonesa dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit me Serbinë dhe për pritjet e takimit të nivelit të lartë politik më 2 maj në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Takimi Kurti-Vuçiq do të realizohet në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjen për t’u dhënë dinamikë zbatimi çështjeve që përmban Plani Evropian, me përmbajtjen e të cilit janë dakorduar të dy.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ushqen pritje të mëdha nga takimi i së martës. Ajo kërkoi që Bashkimi Evropian, si lehtësues i dialogut, të sanksionojë Serbinë për moszbatim të marrëveshjes me Kosovën.

Edhe Kurti nga Brukseli: Marrëveshja Bazë të mos shkelet, të zbatohet pa vonesa Arbëri Kurti nga Brukseli: Marrëveshja Bazë të mos shkelet, të zbatohet pa vonesa

“Kemi parë dy shkelje flagrante të fundit: ajo e interferimit të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore, por edhe votimi kundër në fazën e parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Këto të dyja janë shkelje në kundërshti të plotë me të gjitha parimet dhe frymën e marrëveshjes së dakorduar së fundmi”, ka thënë ajo.

Plani Evropian përmban edhe një pikë që thotë se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, por Beogradi zyrtar loboi, e edhe votoi kundër pranimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sipas Kusari-Lilës, moszbatimi i pikave të marrëveshjeve nga ana e Serbisë duhet të tregohet me pasoja për Skëtë shtet, qoftë në procesin e integrimit evropian, apo edhe në fondet e paraanëtarësimit që janë të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka theksuar se është e rëndësishme që në takimin e 2 majit Kosova të jetë palë konstruktive që të mos ketë asnjë pengesë politike për rrugën e integrimeve evropiane.

“Për ne si shtet, më shumë se njohja nga Serbia është e rëndësishme njohja nga 5 vendet jonjohëse të BE-së, por gjithashtu edhe rruga e integrimit, si dhe heqja e gjitha barrierave prej lëvizjes së lirë deri tek anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare si Interpol dhe UNESCO”, ka theksuar Kusari-Lila.

Në Bashkimin Evropian kanë konfirmuar se në takimin mes Kurtit e Vuçiqit do të miratohet deklarata për të pagjeturit dhe do të nisin diskutimet për propozimin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Edhe Kurti pret që në takimin me Vuçiqin të shprehen ide se si të ecet përpara me dialogun LAJMET E MBRËMJES Kurti pret që në takimin me Vuçiqin të shprehen ide se si të ecet përpara me dialogun

BOX

T: Rama: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, më të mirat se ç’kanë qenë ndonjëherë

Delphi, 29 prill – Në forumin ekonomik në Greqi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi të shtunën se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të mirat seç kanë qenë ndonjëherë, dhe theksoi se mbyllja e dialogut mes dy vendeve do të ishte mbyllja e një kapitulli konfliktesh në rajon.

Rama tha se i gjithë Ballkani Perëndimor gjendet në një situatë shumë më të mirë për shkak se shtetet i flasin njëra-tjetrës, ndryshe nga vite më parë.

“Dialogu Kosovë-Serbi do të thosha është çështja që mbetet ende çështje e madhe dhe zgjidhja e kësaj çështjeje do të thotë të mbyllësh një kapitull përgjithmonë, një kapitull të shumë kapitujsh gjaku dhe konfliktesh. Kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe strategjike”, ka deklaruar Rama. “Megjithatë, edhe sa i takon këtij elementi të veçantë, kësaj çështjeje të veçantë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë aq të mira sa janë aktualisht. Pra, janë marrëdhënie shumë të mira krahasimisht se ç’kanë qenë këto marrëdhënie më përpara. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë për të ndryshuar këtë marrëdhënie”.

Duke folur për mungesën e stabilitetit në rajon për shkak të ndikimit rus, Rama ka thënë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet e Ballkanit Perëndimor ku nuk ka aspak ndikim rus.

Edhe Kurti: Do të shkoj në Bruksel të shoh se në çfarë gjendje ndodhemi Arbëri Kurti: Do të shkoj në Bruksel të shoh se në çfarë gjendje ndodhemi

“Kur flitet për aspektin gjeopolitik dhe politikën ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne kemi një panoramë shumë komplekse. Kemi 3 shtete anëtare në NATO, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por Shqipëria nuk ka fare ndikim rus, ndërkohë që Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një influencë ruse shqetësuese. Nga ana tjetër, kemi Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Kosova është si Shqipëria, është tërësisht e harmonizuar në të njëjtën linjë me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, nuk kanë ndikim rus, ndërkohë që Serbia apo Bosnja kanë shumë ndikim rus. Nuk flitet këtu vetëm për qeverisjen, por edhe në popullsi”, ka theksuar ai.

Kryeministri Rama ka thënë se popullariteti i Vladimir Putinit në Serbi është nga 65 deri në 80 për qind, ndërsa ka vlerësuar se Aleksandër Vuçiq e ka të vështirë të sanksionojë Rusinë, pasi popullariteti i presidentit rus është më i madh se i vetë presidentit serb.