LAJMET E MBRËMJES

Deklarata e Kurtit për ish-politikanin serb Ivanoviq kritikohet nga opozita

Reagime të shumta ka nxitur qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti në përvjetorin e pestë të vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Përmes një videoje, kreu i Qeverisë i thuri lavde Ivanoviqit, derisa kërkoi zbardhjen e vrasjes së tij.

“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, tha Kurti.

Deklaratën e kryeministrit opozita e ka ndërlidhur me qasjen e tij ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa ia ka përmendur edhe qëndrimet sa Kurti ishte në opozitë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shkruar të martën se Kurti ka nënçmuar veteranët e UÇK-së, derisa kryeministrin e kritikoi në një konferencë për media edhe nënkryetarja Vlora Çitaku.

“Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i "Rojave të Urës" që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës. E kuptoj deri diku xhelozinë historike të një veterani të rrejshëm si Albin Kurti, por, nënçmimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kaloj asnjëherë para nesh dhe qytetarëve të Kosovës”, shkroi Krasniqi.

“Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Qeveria ia mohoi kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, ndërsa të nesërmen thuri elozhe për Oliver Ivanoviqin. Kryeministër, nuk fshihet dhe nuk fshihet historia si komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet e juaja në Facebook”, tha Çitaku.

Ish-deputetja e Vetëvendosjes, tani anëtare e LDK-së, Shqipe Pantina, ka thënë se Kurti ka ndryshuar qëndrimin ndaj Ivanoviqit me të ardhur në pushtet.

“Pra, Ivanoviq nuk ka ndihmuar në krijimin e një Kosove multietnike, përkundrazi ai ka ndihmuar në spastrimin etnik të shqiptarëve, dhe lëvdata që kryeministri ia bëri atij në 5-vjetorin e vrasjes së tij, në gjuhën më të butë themi është turp, pra turpi sot e ka një emër, ka një emër dhe për mua ai është Albin Kurti”, tha Pantina.

E sipas deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, me deklaratën e bërë kryeministri ka ofenduar Kosovën.

“Është tmerruese ajo çka po flet kryeministri, ku deri dje e ka quajtur kriminal, edhe faktikisht është kriminel përderisa ka kryer krime ndaj shqiptarëve, ti sot po e quan një hero, për besë nuk e di çfarë afërsie ka kryeministri me serbët, mirëpo kjo çka po e bën ai është shokuese për neve si qytetarë të Kosovës dhe është ofenduese për vendin tonë”, tha Bytyqi.

Ivanoviq është qëlluar për vdekje më 16 janar 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Deri para vrasjes, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai ishte deklaruar i pafajshëm.