Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deliu: Kurti të kërkojë falje publike që i thuri elozhe Ivanoviqit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të kërkojë falje për deklaratat që bëri për ish-politikanin serb Oliver Ivanoviq.

Kurti të hënën, në përvjetorin e pestë të vrasjes së Ivanoviqit, kishte thënë se ai ishte “një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”.

Deliu nga foltorja e Kuvendit, ka thënë se plagët e luftës janë ende të hapura.

“Edhepse kanë kaluar dekada nga lufta e plagët e kujtimet tona janë ende të hapura për krimet e tmerrshme që kanë ndodhur më 14 e 16 prill të vitit 1999, e 3-4 shkurt të vitit 2000, ku u vranë 40 shqiptarë civilë të pafalshëm e u dëbuan dhjetëra e mijëra shqiptarë civilë nga shtëpitë e tyre, njëri prej kriminelëve përgjegjës, që ishte udhëheqës i këtyre operacioneve, ishte Oliver Ivanoviq, shef paramilitarëve rojave të urës, i cili ishte shpallur fajtor nga gjykatësit e EULEX-it e ishte dënuar me 10 vjet burgim për vrasje e spastrim etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës. Kush do të imagjinonte një ditë si kjo që një kriminel lufte do të glorifikohej e nderohej nga kryeministri i Kosovës me lehtësi të padurueshme. Shteti i Kosovës i thuri lavdë një krimineli duke e cilësuar të hapur, të sinqertë, të mprehtë e respektueshëm, e si njeri që punoi për të ardhmen e qëndrueshme në Kosovë shumë etnike”, tha Deliu.

Ajo ka thënë se rrethanat e vrasjes së Ivanoviqit duhet sqaruar nga institucionet e drejtësisë, por askush “s’mund ta bëjë hero, ta amnistojë e as t’i ndryshojë biografinë”.

Edhe Kastrati - Kurtit: Ne e kujtojmë Ivanoviqin për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve Arbëri Kastrati - Kurtit: Ne e kujtojmë Ivanoviqin për krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve

“Për më tepër kjo që ka bërë Kurti është fyerje e rëndë për viktimat, fyerje e rëndë për familjet e tyre, për institucionet që mundësuan përballjen e tij me drejtësi, dekurajim për secilin që angazhohet për drejtësi për viktimat për të dënuar përgjegjësitë, fyerje për secilin nga ne në sallë që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës. Është poshtërim e ofendim për të vërtetën historike, për organizatat e dala nga lufta, zërin e të cilëve po përpiqeni ta ndalni edhe në përvjetore të masakreve, siç ishte rasti në akdeminë përkujtimore të 24 vjetorit të masakrës së Reçakut, ku ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, iu mohua e drejta e fjalës. Kryeministri Kurti thuri elozhe për Ivanoiviqin e se pa të arsyeshme të thotë asnjë fjalë të vetme për punën dhe angazhimin në të mirë të Kosovës të dy ushtarëve të UÇK-së, që i humbëm në këto ditë janari, Sabahudin Cena e Cen Aliçkaj. Mirënjohje për kriminelët z. Muja e mohim për çlirimtarët. Kishte edhe të tillë që thonin se nuk është dita sot të flasim për krimet e Oliver Ivanoviqit. Kishte të tillë që vinë nga qyteti i Mitrovicës dhe e kanë parë për së afërmi krimin makabër të bërë nga Ivanoviqi që udhëhiqte rojat e urës, e ky amnistim është i pafalshëm. Kryeministri Kurti ka bërë gabim të madh e të pafalshëm. Për një gjë të tillë besoj nuk pajtohet as kryetari i Kuvendit, sa për presidenten e kemi parë qartë se çfarë mendon. Kërkojmë kryeministri të kërkojë falje publike e të distancoheni kolegë nga deklaratat”, tha Deliu-Kodra.

Ndërkohë, edhe lideri i LDK-së e ka komentuar deklarimin e Kurtit në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit. Lumir Abdixhiku e ka quajtur turp se si është portretizuar Ivanoviqi nga Qeveria.

“Skandali i dytë lidhet me rehabilitimin e një krimineli të luftës i cili nga ky pushtet na portretizohet si emër që i ka kontribuar Kosovës shumë etnike. Ai ka qenë i dënuar për vrasjen e 31 civilëve shqiptarë. Është turp, është monstrum politik që nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë në Kosovë. Derisa shohim këto dy skandale lind pyetja për qytetarët a është ky ndryshimi. Kuvendi ka dy kërkesa, shkarkim për të parin dhe hetim për ata që kanë lidhje me të dhe kërkim falje për lartësimin e kriminelit të luftës”.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar duke pyetur se cili i ka dhënë të drejtë kryeministrit Kurti që “të japë epitete të tilla për Ivanoviqin”.

“Çfarë po ndodh me personalitetin e këtij kryeministri. Një veprim i tillë është kundër përpjekjeve tona për liri, është kundër nesh si shqiptar. Është akti më antikombëtar, më i shëmtuar, që ka ndodhur në historinë e Kosovës. Kurti duhet urgjentisht ta tërheqë këtë video dhe të kërkojë falje publike. Duhet edhe një distancim i kryeparlamentarit dhe presidentes së shtetit. Përndryshe, turpi do ju ndjekë kudo qe jeni nesër”, tha Selmanaj nga foltorja e Kuvendit.

Armend Zemaj i LDK-së ka thënë se Vetëvendosja dikur thoshte se Ivanoviqi ishte i angazhuar në spastrimin etnik të shqiptarëve, kurse se sot e quan qytetar të mirë. Ai ka pyetur se kush është VV-ja sot.

Edhe Beqa e quan të papjekur deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin Arbëri Beqa e quan të papjekur deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin

“Më 21 janar 2016 LVV në komunikatën e saj tha se Ivanoqviq me bashkëpunëtorët e tij janë angazhuar për planin hegjemon të Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve. Kush jeni ju sot më 2023. Çka ju desh sot që një të dënuar ta bëni serb e qytetar të mirë. Tregoni ku e keni hallin. Nëse mendoni ta luftoni Serbinë me Ivanoviqin e vdekur e keni gabim. Çka ka ndodhur me ju, kush jeni ju nga fillimi e deri më sot që e mbroni një njeri që ka vrarë dëshmitarë. Ky është turpi më i madh që mund ta bëni si përfaqësues politik”, ka thënë Zemaj.