LAJMET E MBRËMJES

Byrnes: Në UÇK ekzistonin elemente të strukturës vertikale, por nuk ishin të plota

Para Dhomave të Specializuara, për ditën e tretë me radhë, dëshminë e ka dhënë ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes. Ai ka thënë të mërkurën se struktura e UÇK-së nuk ka qenë e formësuar dhe se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur përgjegjësi komanduese për ndalim të personave të ndryshëm

Në ditën e tretë të dëshmisë, ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, ka thënë se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ka pasur elemente të një strukture vertikale, por që nuk ishte e plotë. 

Ai ka vazhduar dëshminë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ku për krime lufte akuzohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Byrnes duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit të Veselit, Ben Emerson, është shprehur se ndikimi i Shtabit të Përgjithshëm varej edhe nga zonat.
“Ekzistonin disa elemente të strukturës vertikale, por nuk ishin të plota, absolutisht jo”, ka thënë Byrnes.

“Kur thoni disa elemente, thoni që në disa vende ekzistonin disa elemente?”, ka pyetur Emerson.
“Po, në disa zona kishin marrëdhënie më të ngushtë operative krahasuar me zona të tjera”, është përgjigjur Byrnes.

Sipas dëshmitarit Byrnes, Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur kompetenca në ndalimin e personave.

“Në bazë të njohurive shumë të sakta që kishit ju për atë që po ndodhte në terren në Kosovë, a ka prova që mund të mbështesin supozimin se Shtabi i Përgjithshëm kishte përgjegjësi komanduese mbi ndalimet në zona, që do të thotë fuqi operative edhe për të parandaluar, dënuar apo për të mos lejuar një gjë e tillë që të ndodhte?”, ka pyetur avokati Emerson.

Këtë pyetje, dëshmitari e quajti të ndërlikuar, por dha një përgjigje të prerë.

“Përgjigjja ime e saktë do të jetë ‘jo’”, është përgjigjur dëshmitari.
Dëshmitari Byrnes ka thënë se me Kadri Veselin është takuar tek pas luftës, por, sipas tij, ai ishte një person misterioz.

“Me sa më kujtohet mua, kur isha në detyrë si përfaqësues i KDOM-it të SHBA-së, ne kishim dëgjuar për zotëri Veselin si emër, ka qenë një person shumë misterioz, sepse na kishin thënë, ose të paktën kishte të dhëna se ai ishte një njeri i afërt me Hashim Thaçin dhe kishin qenë miq të ngushtë që në kohën kur ishin studentë në Universitetin e Prishtinës në fillim të viteve 90’ dhe ai ishte një person shumë i respektuar në rangjet e UÇK-së”, ka thënë Byrnes.

Byrnes ka pohuar se është befasuar kur pati dëgjuar për, siç tha, shkallën e infiltrimit të Shërbimit tëSigurisë së Serbisë në UÇK.

“Në lidhje me shtrirjen që kishte ndërhyrja e serbëve tek UÇK-ja e zbulimit serb, duke përfshirë edhe rangjet e larta dhe ju në fakt shprehët befasi të kishte sipas atij vetë që ia ka thënë që ishte në krye të këtij shërbimi, që të kishte rreth 200 burime të këtij shërbimi në atë moment brenda për brenda UÇK-së, përfshirë edhe te rangjet më të larta”, ka thënë avokati Emerson, për të marrë më pas pohimin e Byrnesit.

Sipas dëshmitarit, në UÇK ekzistonin ndasi, e që pikun e arritën gjatë marrëveshjes së Rambujesë. Siç u shpreh ai, fakti që përfaqësuesit politikë ishin më të njohur se komandantët e zonave, shkaktonte zemërim.

“Ka pasur një lloj zemërimi apo pakënaqësie për faktin se Shtabi i Përgjithshëm, apo figurat udhëheqëse po bëheshin shumë të njohura në Prishtinë. Po bëheshin pjesë e elitës në shoqërinë e shqiptarëve të Kosovës dhe kjo shoqëri, mendoj unë, nuk i njihte të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Por gazetarët, edhe gazeta kryesore “Koha Ditore” dhe gazeta të tjera si “Zëri” mbulonin UÇK-në në mënyrë shumë efektive dhe kishin lidhje shumë të ngushta me UÇK-në dhe njihnin mirë UÇK-në”, ka thënë Byrnes.

Prokuroria dhe avokatët i kanë përfunduar pyetjet për dëshmitarin. 

Byrnes ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë periudhës 1998-99. Zyrat, KDOM-i i kishte në Fushë-Kosovë dhe funksiononte në kuadër të Ambasadës së SHBA-së në Beograd.

Byrnes ishte dëshmitar edhe në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi.