LAJMET E MBRËMJES

Dixon: Veseli mori pjesë vetëm në tri takime të Shtabit të Përgjithshëm

Kadri Veseli

Mbrojtja e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli ka paraqitur fjalën përfundimtare para Dhomave të Specializuara. Avokati Rodney Dixon tha se Veseli ka marrë pjesë në një pjesë të vogël të takimeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe se edhe në to nuk pati gjë inkriminuese. Paraqitjen e fjalës përfundimtare e ka nisur edhe mbrojtja e ish-shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e cila ka theksuar se ndërmarrja e përbashkët kriminale nuk është vërtetuar nga prokuroria

Lirimi i Kadri Veselit është kërkuar gjatë fjalës përfundimtare që mbrojtja e tij e ka dhënë të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa avokati i Rexhep Selimit tha se me asnjë provë prokuroria nuk ka arritur ta vërtetojë ekzistimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Rodney Dixon, avokati kryesor i ish-kryeparlamentarit që akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, tha se Veseli mori pjesë në një pjesë të vogël të mbledhjeve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe se në asnjërën prej këtyre takimeve nuk pati diçka kriminale që do ta vërtetonte akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale.

“Bëhet fjalë për 3 nga 35 takime të Shtabit të Përgjithshëm, për të cilat ZPS-ja (Zyra e Prokurorit të Specializuar v.j.) ka paraqitur prova në të cilat mbështetet dhe këto janë takime në të cilat nuk ka dalë asgjë kriminale dhe nuk ka pasur as prova që z. Veseli është zëvendësuar në këto takime, as që i ka raportuar dikush apo që ka marrë informata prej secilit nga këto takime dhe nuk mund të hamendësohet kështu”, tha Dixon të enjten.

Veselin, e edhe Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, Prokuroria i akuzon për ndërmarrje të përbashkët kriminale si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe atyre ua faturon përgjegjësinë për krime që pretendohen të jenë kryer në terren nga pjesëtarë të gueriles.

Avokati Dixon tha se Veseli, i cili ka drejtuar SHIK-un pas lufte, ishte jashtë vendit dhe prokuroria nuk e ka vërtetuar se ai ka mbajtur kontakt apo se ndokush i ka raportuar nga Kosova. Shembull për këtë përmendi dëshmitarin Naser Krasniqi, ish-pjesëtari i Zbulim Kundërzbulimit, që ka qenë trupë e inteligjencës brenda UÇK-së, e të cilën e ka drejtuar Veseli.

Krasniqi, që ka qenë i akuzuar në rastin “Kleçka”, por është liruar nga EULEX-i, ka thënë në Hagë se i raportonte Haxhi Shalës dhe kurrë Veselit.

E, avokati Dixon tha se prokuroria është kapur vetëm për një gjë të thënë nga ky dëshmitar e që i konvenon asaj, dhe vetëm atë pjesë e paraqet si të besueshme.

“Është edhe një shembull tjetër i teorisë skizofrenike që ka prokuroria: pra që s’duhet të besoni asgjë në dëshmi, por ky takim është i besueshëm, është i rëndësishëm dhe në këtë rast ai e thotë të vërtetën”, deklaroi Dixon.

Mbrojtësi i Veselit e kritikoi edhe gjykatën duke aluduar për anshmëri që shkon në dëm të të mbrojturit të tij.

Avokati Dixon tha se edhe pse bënë shumë pyetje, gjyqtarët nuk e kthjelluan çështjen penale.

“Ju besoj se keni vënë re që ZPS-ja ka cituar pyetjet tuaja, të nderuar gjykatës, 36 herë janë pyetjet që i keni bërë ju vetëm me çështjet e Zbulimit dhe Kundërzbulimit dhe pavarësisht se nuk ekziston asnjë provë për vërtetimin e qëndrimit të prokurorisë ndaj z. Veselit, pyetjet kanë qenë të shumta”, u shpreh avokati Dixon.

E, në një çast, derisa ka vazhduar fjalën ky avokat, është kotur një nga gjyqtarët.

Mbrojtja kërkoi që në rast të dyshimeve, gjykata ta lirojë Veselin në përputhje me parimin “In dubio pro reo”, që nënkupton se nëse gjykata nuk arrin të bindet plotësisht për fajësinë e një personi, atëherë atë duhet shpallur të pafajshëm.

Pas mbrojtjes së Veselit, ajo e ish-shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, e ka nisur paraqitjen e fjalës përfundimtare.

Avokati Geoffrey Roberts ka thënë se prokuroria nuk e ka individualizuar përgjegjësinë e klientit të tij dhe ka dështuar ta vërtetojë që ka ekzistuar ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Prokuroria nuk është në gjendje të vërtetojë marrëveshjen, dakordësinë individuale të z. Selimi për qëllimin kriminal që pretendon prokuroria. Kur përmendet vendimmarrje kolektive nuk vërtetohet se z. Selimi në mënyrë individuale u pajtua me politika të tilla dhe ZPS-ja ka dështuar tërësisht në individualizimin e pretendimeve kundër tij”, tha Roberts.

Ky avokat ka theksuar se komunikatat e UÇK-së nuk e dëshmojnë ndërmarrjen e përbashkët kriminale dhe se, edhe po ta dëshmonin, prokuroria nuk e ka dëshmuar se ndonjë nga to është shkruar nga Selimi.

“Provat në vetvete nuk e mbështesin ekzistencën e një plani të përbashkët për të shënjestruar në mënyrë të paligjshme oponentët. Argumenti kryesor i prokurorisë që gjendet në paragrafin 67 është që komunikatat kishin qëllim të dyfishtë: ishin si udhëzime që u shpërndaheshin komandantëve të zonave që të shënjestronin bashkëpunëtorët, por shërbenin edhe si paralajmërim për oponentët e mundshëm dhe ata aktualë. Megjithatë asnjë nga këto qëllime nuk mbështetet as me logjikë e as me provat e prokurorisë”, u shpreh Roberts.

Ky avokat ka deklaruar po ashtu se Selimi në një rast gjatë luftës e ka kërkuar lirimin e një të ndaluari në Bajgorë, porse pjesëtarë të tjerë të UÇK-së nuk ia plotësuan kërkesën.

Të premten, mbrojtja e Selimit pritet ta përmbyllë prezantimin e saj. Po këtë ditë, fjalën përfundimtare pritet ta fillojë edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit. Në nisje të fjalës përfundimtare, kryeprokurorja e Speciales kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve.

Sipas ZPS-së, ata kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.