LAJMET E MBRËMJES

Berisha e Haxhiu përplasen në Kuvend për rastet e Astrit e Arbënor Deharit

Polemika të shumta në Kuvend ka nxitur një deklaratë e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, rreth vdekjes së aktivistëve të Vetëvendosjes, Arbënor e Astrit Dehari. Protesta e ministres Albulena Haxhiu bëri që Berisha të mos e përfundonte fjalën, e më vonë edhe ta kërkonte ndihmën e bashkëpartiakëve, por të cilën nuk ia dhanë.

Dy ekstreme u panë të enjten në seancën plenare të Kuvendit: Përplasje e ashpër verbale dhe konsensus i plotë.

Tensionet nisën pasi deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, akuzoi Vetëvendosjen për keqpërdorim të rastit të aktivistit Astrit Dehari, e edhe të vëllait të tij, Arbënorit.

“Janë dy parakushte për ta zbardhur vetëvrasjen apo vrasjen e Astritit. Parakushti i parë për me u zbardhë vrasja apo vetëvrasja e Astritit është zbardhja e rastit terrorist në Presidencë dhe në objekte të Qeverisë. Por rastin e sulmeve terroriste ndaj institucioneve të Kosovës nuk pres ta zbardhni, sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin tuaj. Dhe, parakushti i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbënorit, cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje?”, ka thënë Berisha.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i kërkoi kryetarit të Kuvendit që t’ia ndalte fjalën.

E meqë ajo s’u bë, Haxhiu nisi ta pengojë vetë fjalimin e Berishës duke e goditur tavolinën, veprim të cilin e ndoqën edhe deputetët e Vetëvendosjes.

Berishës iu pengua fjala, derisa ministrja e quante turp atë që ai tha para deputetëve.

Këtë përplasje verbale nuk e dëgjoi deri në fund deputeti Avni Dehari, baba i të ndjerëve Astrit e Arbënor Dehari, pasi e lëshoi sallën.

Për fjalimin e deputetit të PDK-së foli edhe kryeparlamentari.

“Nëse dini diçka më shumë unë e kisha ftuar Prokurorinë të ju marrë në pyetje”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ndaj Berishës u hodhën një mal akuzash nga deputetë të Vetëvendosjes, njërit prej të cilëve iu kundërpërgjigj duke e porositur që të sqaroheshin jashtë sallës nëse kishte diçka personale.

E, për t’i dalë zot situatës, Berisha e kërkoi ndihmën e kolegëve të partisë, nëpërmjet një mesazhi që ua dërgoi e në të cilin shkruante: “Reagoni ndaj këtyre lakenjve kur ta merrni fjalën. Të paktën mos i lejoni me m’kafshu”.

Mbështetjen s’e gjeti.

Pasi polemikat për këtë rast përfunduan, në seancë pati një moment konsensusi që rrallë shihet. Deputetët njëzëri ratifikuan tri marrëveshjet, të cilat kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit i nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit.

E, një marrëveshje e mëhershme ndërkombëtare riktheu polemikat – Ajo e Demarkacionit me Malin e Zi, të cilën kryeministrit Kurti e kundërshtonte sa ka qenë në opozitë.

“Unë nuk mund ta bart barrën e gabimeve të qeverive të mëhershme. Por jam i gatshëm të koordinohem me Podgoricën zyrtare për ta rregulluar këtë çështje”, ka thënë kryeministri Kurti .

“Unë jam i bindur që ti s’ke me u marrë me këtë temë kurrë. Ti një ditë ke me u largu edhe nga posti i kryeministrit ndoshta edhe shumë shpejtë. Një standard e ke vendosur gënjeshtrën dhe mashtrimin”, ka thënë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Polemikat e përcollën edhe shqyrtimin e Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë, i cili nuk arriti të miratohej, meqë kundër u vunë deputetët e partisë në pushtet.