Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje për liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë, porse ka shprehur nevojën që kjo të bëhet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme. Në Komisionin Evropian kanë thënë se marrëveshja aktuale mes KEK-ut e KESCO-s është në kundërshtim me rregullat e BE-së dhe se duhet të zëvendësohet me një qasje që e respekton konkurrencën e lirë
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë vlerësuan se Kosova duhet që gradualisht ta liberalizojë tregun e energjisë elektrike, duke u larguar nga Marrëveshja ekzistuese mes KEK-ut e KESCO-s për tregti me shumicë, të cilën e kanë kualifikuar në kundërshtim me ligjet e rregullat të tregut të BE-së e të rajonit.
Në përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se BE-ja e mbështet liberalizimin e plotë të tregut energjetik.
“Liberalizimi i tregut të energjisë në Kosovë, duke skaduar gradualisht Marrëveshjen për tregti të energjisë me shumicë (BSA) mes KEK (Korporata Energjetike e Kosovës) dhe KESCO (Kompani e Kosovës për shitjen dhe shpërndarjen e energjisë) është i domosdoshëm që Kosova të kyçet në tregjet rajonale të energjisë dhe të BE-së. BSA-ja është në kundërshti me legjislaturën e vendosur nga BE-ja dhe nga Komuniteti i energjisë, sikurse është edhe në mospërputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe ndihmave shtetërore”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Sipas BE-së, përfitimet nga liberalizimi përfshijnë rritjen e sigurisë energjetike, integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe përmirësimin e efikasitetit të rrjetit me qëllim që në afat të gjatë të ulen çmimet për konsumatorë e biznese.
E për të ndihmuar në këtë proces, në Brukselin zyrtar kanë paralajmëruar ndihmë financiare.
“BE-ja do të japë 28.2 milionë euro përmes Mjeteve për Reforma dhe Rritje, nëse kushtet për pagesat përmbushen. Kjo do të ndihmonte në kalimin e lehtë nga një sistem tepër i rregulluar në një mjedis më konkurrues, duke menaxhuar me kujdes tranzicionin për të zvogëluar çrregullimet sociale dhe ekonomike”, thuhet në përgjigjen e BE-së për KOHËN.
Vendimi që përcakton se nga 1 qershori kompanitë me mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim të kalojnë në treg të liberalizuar të energjisë elektrike është përcjellë me shqetësime mes bizneseve të mëdha, si dhe me protesta.
Bizneset që plotësojnë kriterin për të kaluar në treg të hapur e që nuk kanë arritur ende të gjejnë furnizues, do të furnizohen me rrymë nga KEK-u, si Furnizues i Mundësisë së Fundit për dy muaj.
Eksperti i fushës së energjisë, Lulëzim Syla, ka theksuar se një vendim i tillë kërkon përgatitje të mjaftueshme teknike dhe afate realiste për të shmangur pasojat sociale e ekonomike.
“Në momentin kur të merret një vendim i tillë duhet të paktën një periudhë prej 3 deri në 6 muaj të mundësi të përgatitjes në aspektin teknik, në aspektin e implementimit të masave të efiçiencës së energjisë, të prodhimit të energjisë në baza vetjake e më pas nëse shihet që tregu është i përgatitur edhe ka gatishmëri për të dalë, atëherë caktohet një afat kohor më i gjatë në mënyrë që të ketë sa më pak probleme dhe pasoja”, ka thënë Syla.
Ai ka shtuar se energjia duhet të jetë pjesë e tregut të lirë, porse kjo duhet bërë bazuar në praktika të pranuara ndërkombëtarisht e me kujdes të shtuar.
Kalimi drejt tregut të lirë, sipas BE-së, nuk është vetëm në përputhje me standardet evropiane, por edhe hap drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e energjetik të Kosovës.