LAJMET E MBRËMJES

Faza tranzitore prej dy muajsh furnizim nga KEK-u kundërshtohet nga OEK-u

Korporata Energjetike e Kosovës do t’i furnizojë për dy muaj me energji elektrike të gjitha bizneset e mëdha, që nga 1 qershori kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë, e që ende nuk kanë gjetur furnizues. Furnizimi do të bëhet përmes blerjes së energjisë në bursën ALPEX, ndërsa KEK-u do të veprojë si furnizues i mundësisë së fundit, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Ky vendim ka nxitur reagime në komunitetin e biznesit dhe tek ekspertët e sektorit, të cilët shprehin shqetësime

Vendimi që Korporata Energjetike e Kosovës t’i furnizojë përkohësisht me energji elektrike kompanitë e mëdha, të cilat nga 1 qershori kanë kaluar në tregun e hapur, ka nxitur reagime nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ekspertë të energjisë.

KEK-u do të jetë furnizues i përkohshëm për një periudhë dymujore për të gjitha bizneset me qarkullim mbi 10 milionë euro ose më shumë se 50 të punësuar, duke e blerë energjinë në bursën ALPEX. 

Ky vendim është marrë duke u bazuar në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse, sipas të cilave KEK-u vepron si furnizues i mundësisë së fundit deri më 30 korrik 2025.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë që ende nuk e kanë të qartë mënyrën e llogaritjes së tarifave pasi, sipas tij, duhen llogaritur edhe shpenzime e taksa të tjera që e rrisin faturën. 

“Ato që po i publikon ish-ministrja, ministrja në detyrë, që po i thonë, është 86 euro në bursë çmimi sot, por këtij çmimi i shtohen 30 deri në 40 euro, çështja e KOSTT-it dhe KEDS-it, pra rrjetit. Më pas vijnë shpenzimet administrative, shpenzimet e rrezikshmërisë dhe marzha e KEK-ut, dhe ne nuk e kemi të qartë se këto tri shpenzime: administrative, e rrjetit dhe marzha e KEK-ut sa do të jetë. Por, në çfarëdo varianti, minimumi është 110% më shtrenjtë sesa ka qenë”, ka thënë Rafuna. 

Rafuna ka thënë se para vendimit që bizneset e mëdha të vendosën në tregun e lirë, nuk pati as konsultime, por as nuk u krijuan kushtet për një treg konkurrues. 

“Kemi kërkuar fazën e tranzicionit për ta rregulluar tregun, pra për ta përgatitur, që biznesi të ketë mundësi që të përgatitet, pra të përcillet edhe me disa masa subvencionuese, për shembull pse mos të lirohen prej tatimit doganor panelet solare, ose bateritë, ose energjinë elektrike që prodhojnë tepër, sepse është e limituar deri në sa mundesh të prodhosh dhe ta kthesh në rrjet, me largu atë limit”, ka thënë ai.

Ligji për Energjinë Elektrike parasheh që furnizuesi i mundësisë së fundit caktohet në raste kur furnizuesi paraprak pushon së funksionuari, licenca e tij revokohet, ose kur konsumatori dështon të zgjedhë një furnizues të ri pas përfundimit të kontratës.

E KEK-u në një njoftim ka bërë të ditur se të gjitha bizneset që nuk kanë arritur të gjejnë furnizues kanë kaluar automatikisht te furnizuesi i mundësisë së fundit, që në këtë rast është përcaktuar të jetë kjo ndërmarrje. KEK-u ka ftuar bizneset që të lidhin kontratë me të brenda tetë ditësh. 

Por profesori i energjetikës, Adhurim Haxhimusa, vlerëson se vendimi do të jetë i dëmshëm për bizneset.

“Kjo është zgjidhja më e keqe e mundshme, për shkak se kemi mungesë të parashikimit të çmimeve, mungesë të parashikimit të kostos së furnizimit me energji elektrike. Parashikimi bëhet vetëm nga sot, nesër. Pra, e dimë çmimin e energjisë elektrike që do ta paguajnë kompanitë e mëdha, sot e dimë për nesër, nesër për pasnesër e kështu me radhë”, ka thënë Haxhimusa.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këtë vendim e ka paraqitur si sukses.

“Sa i përket konkurrencës në tregun e furnizuesve, në kohën kur u bë Ligji për Energjinë Elektrike që parasheh liberalizimin e tregut (2016), ishte vetëm një furnizues: KESCO. Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRRE-ja, prej të cilëve, së paku 5 deklarojnë se janë aktivë e të gatshëm të japin oferta. E tash që janë jo 3, por 1300 konsumatorë në treg, numri i furnizuesve e konkurrenca mes tyre sigurisht që do të rriten, në të mirë të konsumatorëve, sektorit e gjithë ekonomisë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Bazuar në vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nga data 1 qershor 2025 ka filluar zyrtarisht liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Të enjten bizneset i kanë bllokuar pjesërisht hyrjet për në Prishtinë, në shenjë proteste kundër këtij vendimi.