Bizneset që u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë në korrik janë faturuar me rreth 200 euro për megavat, çmim trefish më i lartë sesa me furnizim të rregulluar. KEK-u dhe ZRRE-ja kanë heshtur, ndërkohë që Oda Ekonomike dhe Shoqata e Prodhuesve paralajmërojnë se ky trend rrezikon mbylljen e fabrikave dhe humbjen e mijëra vendeve të punës
Rreth 200 euro për një megavat energji kanë paguar gjatë korrikut bizneset që u detyruan të dalin në treg të lirë të energjisë.
Faturat që pranuan, sipas tyre, janë trefish më të larta sesa në periudhën kur furnizoheshin me çmime të rregulluara.
Shaqir Palushi, pronar i njërit prej bizneseve që ka dalë në treg të lirë të energjisë thotë se fatura për korrik është tri herë më e lartë se ajo e majit.
“Kemi pranuar faturën nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit për muajin korrik dhe vlera është 93 mijë e 799 euro nga 28 mijë euro sa ishin në maj të 2025. Kjo rritje kaq e lartë dhe rritja që do të jetë edhe më e madhe gjatë sezonit dimëror, paraqet ngarkesë shtesë për kompaninë tonë”, ka deklaruar Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”.
Sipas një fature që ka siguruar KOHA, për 21 mijë kilovatë të konsumuar në korrik, një biznes u faturua me 4,422 euro, apo 201 euro për një megavat.
KOHA ka kërkuar nga KEK-u sqarime për mënyrën se si janë duke u faturuar bizneset që kanë dalë në treg të hapur dhe pse janë çmimet kaq të larta të energjisë, por që nuk ka marrë një përgjigje gjatë të mërkurës.
Përgjigje nuk ka marrë as nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me atë nëse është duke i mbikëqyrur furnizuesit lidhur me çmimet e furnizimit me energji.
Në qershor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një postim në rrjetet sociale kishte thënë se çmimi mesatar i siguruar përmes bursës ALPEX është 64.55 euro për megavat, duke kërkuar nga bizneset që të lidhin kontrata për furnizim.
Por, në kontratat që kanë lidhur bizneset me KEK-un nuk ka një çmim fiks se sa do të kushtojë një megavat me energji. Çmimi sipas marrëveshjeve, lëviz varësisht nga lëvizjet në bursa.
Çmimi për meagvat në bursën ALPEX të mërkurën ka arritur deri në 170 euro për megavat, duke mos u përfshirë këtu çmimi i transportit dhe taksat e tjera që i shtohen atij.
Lidhur me faturat e energjisë së pranuar nga bizneset ka reaguar Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve, të cilët kanë shprehur shqetësimin, duke ripërsëritur kërkesën për pezullimin e daljes në treg të lirë të bizneseve.
“Sipas të dhënave zyrtare: Bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025. Në të njëjtën periudhë, konsumatorët në furnizim të rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh. Ky dallim i pajustifikuar, mbi 3 herë më i lartë për prodhuesit, ka sjellë pasoja të rënda për konkurrueshmërinë e fabrikave tona dhe i ka vendosur prodhuesit kosovarë në pozitë të pabarabartë në raport me sektorët e tjerë të brendshëm dhe konkurrentët rajonalë”, thuhet në reagimin e OEK-ut dhe Shoqatës së Prodhuesve.
Në reagim theksohet se kjo ngre alarm se gjatë dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet e energjisë për megavat mund të shkojnë deri në 300 euro.
Në mars ZRRE-ja njoftoi bizneset me mbi 50 punëtorë ose 10 milionë euro qarkullim se që nga 1 qershori do të dalin në treg të lirë, duke u detyruar të zgjedhin vetë furnizuesin.