Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 vjet burgim të akuzuarin për krime lufte në Prizren, Millosh Pleskoviq. Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se është vërtetuar që i akuzuari Pleskoviq, në bashkëkryerje me persona të tjerë, i ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe i ka plagosur disa të tjerë. Vendimin e Gjykatës familjarët e viktimave e kanë konsideruar tejet të ulët
Nën masa të rrepta sigurie është përcjellë drejt gjykatores së Gjykatës Themelore në Prishtinë i akuzuari për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” në Komunën e Prizrenit, Millosh Plenkoviq, e të cilit të enjten i është shqiptuar dënimi me 15 vjet burgim.
Në arsyetimin e këtij vendimi kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka thënë se i akuzuari Pleskoviq, në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, i ka vrarë tre civilë shqiptarë dhe i ka plagosur disa të tjerë.
“Nga dëgjimi i dëshmitarëve është vërtetuar, përtej çdo dyshimi, se më datën 1.9.1998, derisa viktimat Fatmir Bojaxhiu, Binak dhe Reshat Daçaj ishin duke shkuar në mal, ishin ndalur nga një grup prej 7-8 personave, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe dhe të armatosur, ku edhe i kishin vrarë. Për Gjykatën nuk ka pasur dyshim se këto tri viktima shqiptare janë vrarë më 1.9.1988, e për më tepër edhe ishin masakruar”, ka thënë Beqiri.
Gjyqtari Beqiri ka thënë po ashtu se Xhenger Cana dhe dëshmitari tjetër, i identifikuar me kodin “F1”, e kanë identifikuar të akuzuarin si një prej personave që ka marrë pjesë në këtë ngjarje.
“Dëshmitari kyç në këtë çështje penale, Xhenger Cana, e ka identifikuar të akuzuarin në vendin e ngjarjes, ku, siç ka përshkruar në deklaratat e tij, e ka parë të akuzuarin, i cili ka qenë në mesin e personave me uniforma, kur i kanë ndalur në mal. Dëshmia e këtij dëshmitari gjen mbështetje edhe në dëshminë e dëshmitarit F1, i cili në deklaratat e tij në prokurori dhe gjykatë ka treguar se e ka njohur Millosh Pleskoviqin, ku vetë i akuzuari ia kishte pohuar se kishte marrë pjesë në rastin e tre personave në Prizren”, ka bërë të ditur gjyqtari Beqiri.
Dënimin që i është shqiptuar Pleskoviqit për këtë vepër penale e ka kualifikuar të ulët Mihrije Daçaj, nënë e viktimave Binak dhe Reshat Daçaj.
“M’i ka vrarë dy djem Milloshi, nga 29 vjet i kanë pasur. 15 vjet kurrgjë nuk janë, janë shumë pak, ai duhet të dënohet përjetë”, ka thënë ajo.
Të njëjtin mendim e ka shprehur edhe motra e dy viktimave, Ganimete Daçaj.
“Ata duhet (të dënohen) përjetë. Ai po paraqitet që s’i kanë gjuajtë vëllezërit e mi. Ai Milloshi është. Ai m’i ka masakruar vëllezërit. Pak është ky dënim, më shumë duhet, jo vetëm ai, por të gjithëve. Ai i ka mbytë krejt. Nuk janë vetëm vëllezërit e mi. Nëna ime qe sa vjet është duke qarë. Duhet shumë. Pak është drejtësia, nuk është në nivel, duhet më shumë”, është shprehur ajo.
Edhe avokati i palës së dëmtuar ka shprehur vërejtje për kohëzgjatjen e dënimit, të cilin e ka kualifikuar si fyes për të gjitha familjet e viktimave të luftës.
“Si avokat i palës së dëmtuar, dua të them se është gjykuar një kriminel lufte me ligjet e ish-Jugosllavisë, paramendojeni. Tribunali i Hagës paraqet dënime maksimale, ndërsa ky dënim është shumë pak në raport me rrethanat e me masakrën që e ka bërë. Zonjës ia ka masakruar dy fëmijët binjakë dhe janë faktet se si ua ka prerë gjymtyrët. E gjykata t’i dënojë me 15 vjet, me ligj të ish-Jugosllavisë, ky është diskriminim”, ka thënë ai.
Por një palë në këtë proces e ka mirëpritur vendimin e Themelores. Prokuroria Speciale, nëpërmjet një njoftimi, e ka quajtur aktgjykimin hap të rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë për viktimat e luftës dhe për familjarët e tyre.
Kjo prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj Pleskoviqit më 7 qershor të vitit të shkuar. Më 25 shtator të 2023-tës, Policia ka parashtruar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale kundër Pleskoviqit, nën dyshimin se e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile” në qytetin e Prizrenit.
Pleskoviqi qe arrestuar më 29 shtator të 2023-tës nga Policia e Kosovës. Prokurori Special, Ilir Morina, ka nxjerrë aktvendimin për fillimin e fazës së hetimit ndaj Pleskoviqit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se më 1 shtator të 1998-s, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, gjatë kohës së luftës, i mobilizuar dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka kryer krim të luftës kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka vrarë tre civilë shqiptarë. Prokuroria në aktakuzë pati propozuar që gjatë shqyrtimit kryesor të dëgjohen 14 dëshmitarë, ndër të cilët është përfshirë edhe ai anonim me kodin F1.
Pas konfirmimit të aktakuzës, më 1 nëntor të vitit të kaluar ka nisur shqyrtimi kryesor me paraqitjen e fjalëve hyrëse, të palëve në procedurë. I pandehuri në këtë procedurë penale është përfaqësuar nga avokatja Jovana Filipoviq.