Artistë e filma me nam në botën kinematografike janë bërë bashkë në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit në Zürich. Edhe rrëfimi inspirues nga Kosova, “Zgjoi” është shfaqur në atë që është konsideruar nga drejtori artistik i festivalit, Christian Jungen si festim i rikthimit të Hollywoodit. Për dy shfaqjet e “Zgjoit” janë shitur të gjitha biletat e ky film do të ketë edhe një shfaqje të tretë. “Jemi shumë të kënaqur me eksperiencën e shfaqjes së filmit, interesimin nga gazetarët dhe publiku. Kemi marrë shumë vëmendje dhe filmi ka bërë një bujë të madhe”, ka thënë për KOHËN regjisorja e filmit, Blerta Basholli. Producenti Yll Uka ka zbuluar itinerarin që e pret këtë film
“Zgjoi” i Kosovës në “Zürich Film Festival” u prit me duartrokitje të shumta në kinemanë “Corso”, ku nuk pati vende të lira. Premiera zvicerane e këtij filmi që në fokus ka fuqinë e grave ishte e veçantë të hënën mbrëma, pasi që treshja e grave, meritore kryesore të këtij suksesi, e shikuan për herë të parë së bashku këtë film.
Aktorja kryesore Yllka Gashi, regjisorja Blerta Basholli dhe Fahrije Hoti, historia e së cilës frymëzoi filmin, ishin të pranishme në kinemanë që me të katër sallat e saj ka kapacitet për 1 mijë e 335 ulëse.

“Një moment magjik” e ka përshkruar regjisorja këtë moment gjersa ka falënderuar edhe komunitetin e shqiptarëve që nuk munguan në shfaqje të filmit. Bashkë me këtë lajm ka bërë të ditur se filmi do të nisë edhe shfaqjen nëpër kinema, me saktësisht më 7 tetor do të shfaqet në Bernë të Zvicrës e një ditë më pas në Zürich.
“Zgjoi” është në garë për çmimet kryesore në Festivalin e Filmit në Zürich, që këtë vit shënon edicionin e tij të 17-të. Është festivali më i madh në hapësirën gjermanofolëse pas “Berlinales” dhe çdo vit emra të njohur të kinematografisë po bëhen pjesë e tij. Mes filmave, në program janë edhe “Spencer” frymëzuar nga jeta e Princeshës Diana, në të cilin luan aktorja Kristen Stewart e “French Dispatch” nën regji të Wes Anderson, “The Last Duel” i regjisorit Ridley Scott, në të cilin luajnë Jodie Comer, Ben Affleck dhe Matt Damon, “The Power of the Dog” nën regji të Jane Campion, “The Velvet Underground” dokumentari i Todd Haynes, si dhe “James Bond: No Time to Die”, që u shfaq të martën disa orë pas premierës botërore në Londër. Në total ky edicion ka 164 filma nga 53 vende të ndryshme. Në mesin e yjeve që janë bërë pjesë e këtij edicioni është edhe aktorja Sharon Stone, e cila do të pranojë çmimin “Golden Icon” dhe skenaristi amerikan Paul Schrader, që do të marrë mirënjohje për arritje jetësore e që njëkohësisht do të sjellë edhe filmin e tij të fundit të metrazhit të gjatë, “The Card Counter”.
“Ne jemi duke e festuar rikthimin e Hollywoodit”, ka thënë drejtori artistik i festivalit, Christian Jungen. E pjesë e këtij festimi është bërë edhe “Zgjoi” dhe rrëfimi i Fahrije Hotit, e cila e ka humbur burrin në luftën e fundit në Kosovë. Ai vazhdon të mbetet i pagjetur.
“Kur Fahrija vendos që të marrë patentë shoferin në mënyrë që të shesë ajvar të bërë në shtëpi, ajo përballet me kundërshtimet e bashkëfshatarëve konservatorë. Ajo, megjithatë, nuk dorëzohet dhe shumë shpejt edhe gra të tjera marrin guximin për ta ndihmuar në këtë rrugëtim revolucionar”, është përshkrimi që ia ka bërë filmit ky festival prestigjioz. Kanë shkruar se filmi e tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera.
Vetë regjisorja Basholli ka thënë se filmi është pritur jashtëzakonisht mirë, diçka që e ka gëzuar edhe atë.
“Kemi pasur reagime pozitive nga audienca e vendit dhe sidomos nga komuniteti shqiptar, të cilët i falënderojmë shumë për prezencën dhe mbështetjen. Festivali gjithashtu e ka mirëpritur shumë mirë filmin tonë. Jemi shumë të kënaqur me eksperiencën e shfaqjes së filmit, interesimin nga gazetarët dhe publiku. Kemi marrë shumë vëmendje dhe filmi ka bërë një bujë të madhe”, ka thënë Basholli për KOHËN.
Filmi është pjesë e programit garues “Border Lines”, që sipas përshkrimit sjell filma që shtjellojnë çështje që lidhen me kufijtë, projektet humanitare, konfliktet territoriale dhe shoqërore dhe konfliktet midis individëve dhe shtetit.
Producenti i “Zgjoit”, Yll Uka, ka treguar se edhe biletat për shfaqjen e së martës janë shitur të gjitha. Shfaqja e fundit në kuadër të këtij festivali është më 2 tetor, në orën 15:00.
“Shfaqja të hënën ka qenë shumë e mirë. Filmi është duke u pritur tepër mirë”, ka thënë Uka, duke theksuar faktin se edhe për shfaqjen e së martës biletat janë shitur shumë shpejt.
“Sigurisht ka pasur edhe shumë interesim të shqiptarëve”, ka thënë Uka, i cili ka shtuar se edhe festivale të tjera do të jenë pikëndalesë e “Zgjoit”, mes tyre Festivali i Filmit në Varshavë.

Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, është propozimi i Kosovës për kandidim në “Oscar”. Synohet që filmi i cili ka korrur goxha suksese ndërkombëtare të nominohet në kategorinë “International Feature”. Suksesi i filmit nisi në shkurt të këtij viti me premierën botërore, kur në prestigjiozin “Sundance Film Festival” mori tri çmime: Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës.