Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zgjoi” i Kosovës mbush kinematë e Zvicrës

“Zgjoi” është shtrirë në dhjetë qytete të Zvicrës dhe imazhet e para që vijnë nga disa prej shfaqjeve janë kinematë plot

Trofetë e sukseset nëpër festivale janë njëri kapitull i filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit, ai për “Oscar”, një tjetër tashmë i mbyllur, por i radhës që ende nuk ka epilog është rrugëtimi nëpër kinematë botërore. Tash Zvicra është itinerari e stacionet, dhjetë qytete. “Thuajse biletat për secilën premierë janë shitur dhe përshtypjet e feedbeck-ut janë të jashtëzakonshme, si nga shqiptarët, por edhe nga audienca zvicerane”, ka thënë producenti i filmit, Yll Uka

“Zgjoi” e ka mbyllur kapitullin për çmimin më të madh në kinematografi, “Oscar”, por jo edhe atë të shfaqjes nëpër kinema botërore. Stacioni aktual: Zvicra. Është shtrirë në hiç më pak se dhjetë qytete të ndryshme dhe imazhet e para që vijnë nga disa prej shfaqjeve janë kinematë plot.

“Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, është filmi të cilit për një vit pothuajse nuk i kaloi asnjë muaj pa rrëmbyer çmime e pa qenë në fokus kritikash pozitive, duke u shfaqur në një kinema të re a shtet të ri. Rrëmbeu shumë çmime në shumë festivale prestigjioze, që dëshmojnë për suksesin e tij dhe u shfaq në shumë vende të botës.

Në dy ditët e kësaj jave – të mërkurën dhe të enjten – rrëfimi filmik për gruan shembull, Fahrije Hoti, nga Krusha e Madhe, interpretuar nga Yllka Gashi – u shfaq në gjashtë qytete të Zvicrës, gjithsej në shtatë kinema, në prezantimin e të cilave ishte edhe regjisorja e filmit Blerta Basholli, ndërsa më vonë do të shfaqet edhe në katër qytete perëndimore zvicerane.

Siç është bërë e ditur nëpërmjet faqes zyrtare të “Zgjoit” në Facebook, para publikut në shtetin helvetik, filmi do të ketë një rrugëtim të ngjeshur.

“Blerta është duke e prezantuar filmin në premierat e qyteteve të ndryshme të Zvicrës. Thuajse biletat për secilën premierë janë shitur dhe përshtypjet e feedbeck-ut janë të jashtëzakonshme, si nga shqiptarët, por edhe nga audienca zvicerane”, ka thënë producenti i filmit, Yll Uka.

“Zgjoi” është dhënë në shumë qendra të mëdha filmi. Paralajmërimi për suksesin e tij qe premiera në shkurtin e vitit të kaluar në prestigjiozin “Sundance Film Festival”, ku u shpall fitues i trefishtë. Mori Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë (Blerta Basholli) dhe Çmimin e audiencës. Nuk bëri histori vetëm për kinematografinë e vendit, por edhe atë botërore. U bë filmi më i shpërblyer në historinë e “Sundanceit”, që është festivali më i madh i filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e që i takon kategorisë A. Prej aty sukseset nuk patën të ndalur. Mbërriti fort afër çmimit “Oscar”, kur në dhjetorin e vjetëm u fut në listën e ngushtë të 15 filmave që vazhduan garën për “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar. Në shkurtin e sivjetmë mbeti jashtë pesëshes. Në këtë kategori, mbrëmjen e 27 marsit, në ceremoninë e 94-të të “Academy Awards”, fitoi “Drive My Car” i Japonisë. Por vëmendja për “Zgjoin” nuk është zbehur.

“Është dukë u shfaqur për momentin në kinematë e Anglisë”, ka thënë Uka, të premten për “KOHËN”, duke zbuluar edhe disa “stacione” të radhës”.

“Pas kësaj do të jetë Greqia, Gjermania, Austria e kështu me radhë”, ka thënë producenti i filmit, i cili deri më tani pos Evropës, është parë edhe në Kanada, Australi, Zelandë e Re, ShBA e vende të tjera. S’ka pasur medium të njohur botëror, që nuk ka shkruar për të.

“Zgjoi” me kohëzgjatje prej 1 orë e 24 minutash thekson origjinalitetin kinematografik të regjisores Blerta Basholli. Nëpërmjet lojës së natyrshme të Yllka Gashit, filmi shfaq sfidat e Fahrije Hotit në përballje me vështirësi të shumëfishta. Atë që e nisën gratë krushjane, bota e filmit e ka vlerësuar si një rrëfim mbresëlënës për vullnetin për të mbijetuar. Shpirti rezistues i Fahrije Hotit është përkthyer si shembull universal për qëndrueshmërinë, transcendencën dhe përpjekjen për liri.

Deri tani kritikë të njohur kanë dhënë vlerësimet e tyre. U konsiderua si njëri prej filmave më të mirë, jo vetëm në “Sundance...”. U përshkrua edhe si një rreze shprese që ngrihet nga rrëfimi i një gruaje, që përçon mesazhet e veta universale duke tejkaluar caqet e kinematografisë kosovare.

Përveç aktores Gashi, që jeton në Amerikë, kastin e filmit e përbëjnë edhe Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja dhe Shkëlqim Islami. Drejtor i fotografisë është Alexander Bloom, montazhi i filmit është bërë nga Enis Saraçi dhe Félix Sandri. Është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë “FOC” dhe Cinéforom (Zvicër), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga “Ikonë Studio” dhe “Industria Film”, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka “LevelK”.

Artikuj të ngjashëm