Në janarin e shkuar, Blerta Basholli ishte thjesht e lumtur që arriti të futej në “Sundance Film Festival” me filmin debutues “Zgjoi”. Filmi në gjuhën shqipe për një grua që nis biznesin e saj pas luftës në Kosovë ishte perlë frymëzuese, por Basholli as që kishte guxuar të ëndërronte se sa larg do të arrinte.
Jo vetëm që u bë filmi i parë në histori të Sundance-it që fiton top-tri çmimet, por tani ka shansin e madh që të bëhet kandidati i parë i Kosovës në “Oscar” në kategorinë për filmin më të mirë ndërkombëtar.
“Zgjoi” është i bazuar në ngjarjen e vërtetë të Fahrije Hotit, që në luftën e Kosovës më 1998-1999 u largua nga Krusha e Madhe me fëmijët e saj. Kur u kthye, burri i saj ishte zhdukur dhe me gjasë kishte vdekur. Ajo nuk kishte si ta mbante familjen. Duke përmbysur traditën dhe pritjet, Hoti u bashkua me të vejat e tjera dhe nisën shitjen e ajvarit të bërë vetë në tregjet lokale. Biznesi i saj “Kooperativa Krusha” operon edhe sot.
Basholli dëgjoi për rrëfimin e Hotit në lajme vjet më parë, në kohën kur ajo po përfundonte masterin në Universitetin e New Yorkut. E dinte se duhet të bëhej një film dhe se Yllka Gashi, aktorja e mirënjohur në Kosovë, duhet të ishte ylli. Basholli e Gashi e kishin takuar Hotin rreth vitit 2011 dhe kjo ua përforcoi misionin për ta treguar historinë e saj. Por, do të duheshin edhe nëntë vjet për ta realizuar filmin dhe dy të tjera për ta çuar në momentin magjik në Sundance.
“Para se ta takoja, isha një kliente”, ka thënë Gashi nga shtëpia e saj në Connecticut. “Isha e impresionuar se si kishte dalë me këtë ide, sepse bërja e ajvarit është tradicionale për gratë shqiptare, sidomos për gratë e gjeneratës së nënave tona. Ajo ishte aq e mençur për ta përdorur këtë shkathtësi, shumë praktike, dhe për ta kthyer në biznes. Që nga hera e parë që u ulëm me të dhe e dëgjuam rrëfimin e saj, unë rashë në dashuri. Ajo ka dinjitetin dhe nurin që të mahnitin, edhe pse ka kaluar në shumëçka dhe ka kaluar shumë dhimbje, pikëllim e pasiguri, ajo është aq e këndshme, aq e fortë sa që të inspiron”.
Edhe
“Dua” në Kosovën e tensionuar në fund të viteve ‘90
Basholli dhe Gashi ishin adoleshente kur shpërtheu lufta e Kosovës. Ato e kujtojnë mirë dhe i dinë vitet e vështira që i paraprinë.
“Të rriteshe në vitet e ’90 në Kosovë s’ishte diçka e mirë”, ka thënë Gashi.
Por, përvoja e ndarjes së historive të tyre dhe krijimi i filmit dhe vendosja në këpucët e nënave të tyre doli të ishte purgative në një mënyrë.
“Jetuam për shumë vjet nën okupim, andaj ishte periudhë e gjatë në të cilën ishim dëshmitarë të shumë gjërave”, ka thënë Basholli. “Por s’e kam ditur kurrë rrëfimin e Yllkës dhe në çka kishte kaluar ajo dhe se si e kishte lënë Kosovën gjatë luftës e as ajo s’e dinte timen. Andaj, të dyja u hapëm me njëra-tjetrën. Është një mënyrë e shërimit po ashtu dhe një mënyrë e tregimit të historisë me shpresën që s’do të përsëritet”.
Gashi ka thënë se kjo ishte diçka për të cilën s’kishte menduar se ka nevojë.
Edhe
Drama kosovare e rritjes mes konflikteve dhe luftës
“Hapi një perspektivë të re, të jem e sinqertë, sepse mendoj se kolektivisht s’kemi pasur kurrë shansin të shërohemi si shoqëri, si komb, si popull, sepse ishim të etur për ta ndërtuar shtetin”, ka thënë Gashi. “Ne kurrë nuk u morëm me pasojat e luftës dhe traumat që lufta dhe gjithçka para saj na shkaktuan”.
Suksesi i “Zgjoit” ka bërë që i gjithë shteti të dalë në përkrahje të ekipit. Njerëzit kanë nisur ta ndalin në rrugë Bashollin për ta falënderuar që po i bën krenarë.
“Njerëzit e njohin Yllkën, sepse është aktore shumë e njohur dhe njerëzit e duan shumë. Por të ndalet regjisorja nuk ndodh shumë”, ka thënë Basholli duke qeshur.
Ajo është pjesë e asaj që po konsiderohet si valë e re në prodhimin e filmave në Kosovë. Gjatë vitit të shkuar, shumë regjisore të tjera depërtuan në festivale. “Zgjoi” është në mesin e 15 filmave që janë pjesë e listës së ngushtë të “Oscars” për filmin më të mirë ndërkombëtar. Është hera e parë për Kosovën. Do të merret vesh më 8 shkurt nëse do të jetë apo jo në mesin e pesë filmave garues për çmimin që ndahet më 27 mars.
Basholli thotë se është skeptikja. Ajo as që e kishte menduar se “Zgjoi” kishte shans në Sundance. Por është e lumtur për efektin që ka.
Edhe “Shok” në Berlin*“Me të vërtetë prekem që njerëzit janë kaq krenarë. I bën njerëzit të lumtur”, ka thënë Basholli. “Sikur u jep shpresë njerëzve në mënyrën që Fahrije na dha neve kur po punonim në film. Ajo s’u dorëzua kurrë”.
Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Endrit Berisha