Për katër ditë radhazi, nëpërmjet ekspozitës, filmit “Zgjoi”, paneleve e aktiviteteve të tjera, në Beograd është diskutuar për të kaluarën dhe për të ardhmen. Festivali “Mirëdita, dobar dan!” edhe sivjet në edicionin e nëntë, nëpërmjet programit të vet ka përballur një pjesë të publikut serb me të kaluarën, midis të tjerash, edhe me pasojat e luftës së vitit 1998-1999. Por, sipas politologëve dhe atyre që merren me të drejtat e njeriut në Serbi, ky shtet e ka problem të madh përballjen me të kaluarën. Bile, kanë alarmuar se nacionalizmi në Serbi është duke u rritur
Kinoteka e Jugosllavisë ka të arkivuar shumicën e prodhimeve kinematografike të ish-Federatës. Si arkiv i filmit jugosllav shkon përtej kësaj. Posedon prej kostumeve e gjësende të tjera që janë përdorur nëpër role të ndryshme nëpër filma. Por rreth 200 veta, midis tyre shumica serbë, prej të shtunës mbrëma kanë arkivuar në mendjen e tyre edhe një rrëfim: atë për sfidat dhe suksesin e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Historia e saj është edhe derivat i krimeve serbe në Kosovë gjatë viteve të luftës. Ajo mbeti e vejë pasi burri iu vra bashkë me shumë bashkëfshatarë në vitin 1999.
Filmi “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, ka qenë ngjarja e fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Kësisoj, Kinoteka e Jugosllavisë ka ndezur ekranin për një film të Kosovës për herë të parë në këtë shekull. “Zgjoi” ka arritur në Beograd pasi është shfaqur në të katër anët e botës, ishte në rrethin e ngushtë prej 15 filmash që pritnin për t’u nominuar për “Oscar”, e fitues i trefishtë në festivalin “Sundance”.
“Zgjoi” si rrëfim i veçantë
Të pranishmit në institucionin që gjendet krahas rrugës “Uzun Mirkova” kanë parë Fahrije Hotin e portretizuar nga aktorja Yllka Hoti. Shpresa e saj për t’i arritur burri i gjallë, lajmi për gjetjen e eshtrave të tij, përballja me mentalitetin lokal e suksesi i saj në biznes janë shpërfaqur në zemër të pjesës së vjetër kryeqytetit serb, prej ku edhe u morën vendimet që në vitet 1998 dhe 1999 në Kosovë të bëhej spastrim etnik në përmasa gjenocidiale. Për 1 orë e 24 minuta të pranishmit janë përballur me lojën e jashtëzakonshme të Yllka Gashit e me historinë e Hotit, e cila sivjet është shpallur edhe “Evropiania e vitit” në Kosovë. Është rrëfim që është vlerësuar gjithandej botës. E përtej rrëfimit merret shembull edhe si frymëzim për gratë që përballen me mentalitet lokal e maskulist. Filmi në një prej sallave më atraktive të Kinotekës së Jugosllavisë ka bërë që publiku të dalë me një tjetër qasje për kinematografinë e Kosovës.
Të pranishëm në këtë ngjarje kanë qenë një pjesë e ekipit të filmit, midis tyre edhe aktorët Adriana Matoshi e Molikë Maxhuni. Matoshi, që është edhe deputete e Kuvendit të Kosovës, pas shfaqjes së filmit iu ka thënë të pranishmëve se i është shumë falënderuese regjisores Basholli që e ka bërë pjesë të kastës.
“Nëpërmjet artit tregojmë atë që e kemi në shpirt dhe në zemër”, ka thënë ajo, derisa është përcjellë me shumë duartrokitje. Ka treguar se kinematografia e Kosovës është duke skenar suksese të mëdha në botë. Ka treguar se temat e luftës zënë vend në projekte kinematografike. “Kjo është një pjesë e asaj që kemi përjetuar në luftë dhe nëpërmjet artit e tregojmë më së miri”, ka thënë Matoshi, e cila është duartrokitur pas secilës fjali, derisa prej shqipes në serbisht përkthehej nga gazetari Idro Seferi.
“Po të ishte Bekim Fehmiu gjallë e di se do t’i pëlqente shumë”
Të premten, të pranishmit po nëpërmjet artit kanë pasur mundësi që të hyjnë pak më thellë në kulturën shqiptare. Në qendrën kulturore hebraike “Oneg Shabat”, kantautori Shpat Deda ka koncertuar i shoqëruar nga instrumentistët Visar e Tomor Kuqi
Por nga publiku janë kërkuar më shumë sqarime. Ka qenë aktorja Branka Petriq, e veja e aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu, ajo e cila ka pasur pyetje. Ka dashur të dijë më shumë për aktoren Yllka Gashi, dhe Matoshi i ka treguar se ajo jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, ka treguar se ishte studente e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës në klasën e profesorit Faruk Begollit, aktor që në Serbi posa t’i përmendet emri dihet për kë bëhet fjalë.
Vetë Branka Petriq (85) ka pasur vlerësim shumë të lartë për filmin. Ka qenë e fascionuar nga loja e Yllka Gashit. “Posa e pashë në fillim e mora me mend se është aktore shumë e zonja dhe se e ka luajtur rolin për mrekulli”, ka thënë Petriq, e cila ende është e angazhuar në jetën teatrore të Beogradit e po ashtu edhe në seri televizive.
“Është një film i punuar shumë mirë. Po të ishte Bekimi gjallë e di se do t’i pëlqente shumë”. E përgëzoj krejt ekipin, sidomos aktoren që ka luajtur rolin kryesor”, ka thënë Petriq. Disa herë e ka përsëritur se i vjen shumë mirë që kinematografia e Kosovës është duke ia dalë suksesshëm nëpër festivale të njohura e prestigjioze në botë.
Ky film të paktën publikun serb që ishte i pranishëm në sallë e ka përballur pak me të kaluarën. Sipas politologëve dhe atyre që merren me të drejtat e njeriut në Serbi, ky shtet e ka problem të madh përballjen me të kaluarën. E edhe në edicionin e nëntë, festivali “Mirëdita, dobar dan!”, që organizohet nga organizata “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Iniciativat Qytetare dhe ForumZFD, ka për qëllim që nëpërmjet artit të krijojë mundësinë e përballjes me të kaluarën dhe të kontribuojë më shumë në njohjen midis serbëve dhe shqiptarëve. Në dy prej paneleve që janë mbajtur gjatë festivalit, të pranishmit kanë theksuar disa herë se Serbia problemin e ka me përballjen me të kaluarën dhe se nacionalizmi është në nivele edhe më të larta sesa në vitet ‘90 të shekullit të kaluar.
Trio me program unik
Të premten, të pranishmit po nëpërmjet artit kanë pasur mundësi që të hyjnë pak më thellë në kulturën shqiptare. Në qendrën kulturore hebraike “Oneg Shabat”, kantautori Shpat Deda ka koncertuar i shoqëruar nga instrumentistët Visar e Tomor Kuqi. Deda e ka “shëtitur” publikun nëpër këngët e tij që njihen për stil të veçantë. Ka bërë që të pranishmit të prekin edhe një pjesë tjetër të mozaikut kulturor të Kosovës.
Kantautori Shpat Deda ka thënë se ka kaluar tepër mirë. Ka treguar se programi është diçka që ka dashur ta mbërrijë tash e një kohë të gjatë. “Visari e Tomori janë njerëz e muzikantë të jashtëzakonshëm. Pa këta të dy nuk do të mund ta realizoja koncertin. Mezi po pres që me këta, këtë program ta realizojmë edhe në Prishtinë e Tiranë”, ka thënë ai. Ka kujtuar se në Beograd ka qenë edhe para nja 7 ose 8 vjetësh.
“Nuk e ndaj publikun me nacionalitet. Ata zakonisht vijnë me kalu mirë dhe nuk ka lidhje prej nga janë. Më duket se sonte kemi kaluar shumë mirë nga reagimet që pashë. Kam dëshirë që ky koncert të bëhet edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.
Por për dalim nga artistët kosovarë që nuk e dallojnë publikun, një pjesë e serbëve bëjnë dallime të mëdha.
Viteve të kaluara, sidomos në vitin 2018, radikalët serbë organizonin protesta pranë Qendrës për Dekontaminim Kulturor duke kundërshtuar që arti shqiptar të shpërfaqej në Beograd. Më 2018 protestave u kishte prirë vetë lideri radikal Vojislav Sheshel.
për dallim prej këtij edicioni, politikania Milica Gjurgjeviq-Stamrtnovski ishte gjithnjë një prej lidereve të protestave. Sivjet pesë veta kanë kundërshtuar Festivalin. Janë vetëquajtur “Radikalët nga Prishtina”. Njëri prej tyre ka protestuar me “flamur” e me hartën e kufijve të Kosovës, të krijuar prej flamurit serb. “Nema predaje” (S’ka dorëzim) është shkruar me shkronja cirilike të zeza. “Kameramani” i këtij grupi fanellën e ka pasur me shkronjën “Z” të shndërruar në simbolin rus të pushtimit të Ukrainës. “Z” të tilla janë parë në veri të Kosovës.
Kjo protestë e vogël është mbajtur edhe gjatë kontrollimit të hapësirës për bombë. Në hapjen zyrtare të Festivalit, të enjten, sikurse që ka ngjarë edhe të mërkurën kur është hapur ekspozita “Gjithë lotët tonë”, ka pasur alarm për bombë. Ceremonia hapëse është ndërprerë për nja 25 minuta dhe njësitet policore kanë bërë verifikimin nëse ka bombë në hapësirën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor. Sipas organizatorëve, radikalët kanë ndërruar qasje. Në vend të protestave më të mëdha bëjnë alarme për bomba. Madje kanë thënë se kësaj radhe nuk ka pasur protesta me numër të madh njerëzish, pasi ato nuk i janë dashur presidentit Aleksandër Vuçiq, pasi, sipas shoqërisë civile në Beograd, çdo gjë kontrollohet nga i pari i shtetit.
Pas ceremonisë hapëse, të cilën alarmi për bombë e ka ndarë në dy pjesë, është dhënë shfaqja “Stifler”, nën regji të Kushtrim Koliqit, ku luajnë Rebeka Qena, Adrian Morina e Armend Ismajli. Shfaqja nxjerr në pah përbuzjen që i bëhet një punëtoreje seksi.
Fokusi kryesor i programit të debatit të Festivalit ishte qasja e shoqërive të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës që po vazhdon të ndodhë në Ukrainë, si dhe kujtesa kolektive dhe dokumentimi i përvojave të të burgosurve politikë të Goli Otokut, një burg ishullor i kohës jugosllave. Në kuadër të këtij programi është promovuar vepra “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Pas promovimit të librit është zhvilluar diskutimi “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku”. Sa u përket debateve është mbajtur edhe ai me temën “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”. Në të dyja diskutimet është ardhur në përfundim se në Serbi nacionalizmi po rritet. E njësi matëse për këtë është edhe arritja e lëvizjeve djathtiste që të kenë deri në 20 deputetë në Kuvendin serb.