Kulturë

Zërat e rinj të Kosovës përballë maestros së skenave botërore

Ende pa e hapur mirë dera e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, nga hapësira ku tashmë është kthyer në cak të muzikantëve klasik dëgjohen zëra me tone të larta. Është pikërisht mjeshtri i vokalit, tenori francez, Jean Bernard-Thomas, ai i cili i rikthen solistët e rinj në pikën zero të këndimit. Me përpikëri dhe me koncentrim maksimal ua dallon gabimet gjatë këndimit, qofshin edhe ato krejt minimale. Sa herë që vetë i jep zë një copëze të veprës sa për t’ua demonstruar solistëve të rinj, sytë drejtohen menjëherë nga ai. Janë pikërisht 28 zëra të rinj nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Italia, Danimarka e Australia që janë bashkuar me qëllim të ngritjes profesionale të performimit në skenë.

Për këtë përballë ju qëndron tenori që ka rrugëtuar nëpër shumë skena të Evropës, i cili kërkon të përkryerën nga ata. Dashurinë për këndimin operistik ia vëren në sy që në fillim kur nis të flasë me një anglishte mesatare. Talentin e konsideron si elementin kyç për sukses, por pa dashuri vlerëson se asnjë solist s’mund të triumfoj në këtë rrugëtim të vështirë.

Pranon se këtu ka potencial e talente dhe thotë se ndihet i mahnitur me kushtet. Prapa kamerave pohon se për Kosovën janë krijuar shumë propaganda, të cilat s’i ka besuar asnjëherë, por përkundrazi tashmë e krahason Prishtinën me kryeqendra evropiane. Thotë se do të avokojë e do të punojë që t’i çrrënjosë gënjeshtrat të cilat i ka dëgjuar nga njerëz që nuk kanë shkelur në Kosovë. Ndërkaq për Festivalin ndërkombëtar operistik “Ramë Lahaj”, e cila edhe u bë shkas i ardhjes së tij, ka fjalë të mira. Është pikërisht ai i cili nga ky grup i të rinjve do të përzgjedhë zërat që do të performojnë në koncertin “New Generation”.

“Jam shumë i befasuar të shoh se si keni zëra të mirë në Kosovë. Është përvojë e mirë të shoh se si kultura dhe opera këtu janë të shkëlqyeshme, njerëzit me të vërtetë po duan të mësojnë”, thotë tenori që ju ka dhënë jetë roleve si Rodolpho nga opera “La boheme”, Macduff nga “Makbethi”, Percy nga “Anna Bolena” e shumë të tjera.

Sipas tij, ligjërimi për muzikën duhet të ripërtërihet me metodat e sotme. Kërkon një gjithëpërfshirje të solistit në skenë, ku përveç zërit dhe teknikave të këndimit, ngre vëmendje edhe për gjallërinë momentale, lëvizjet dhe ndjesinë që i fal publikut.

“Të këndosh është profesion i vështirë, diçka që njerëzit harrojnë. Mund ta kesh zërin, por duhet ta kesh edhe talentin, të cilin s’mund ta blesh, mund ta kesh ose jo”, thotë Bernard Thomas i cili pranon se ka takuar këngëtar që kanë zë, por s’dinë të manovrojnë me të. Potencon edhe anën tjetër të peshores, me ata që “kanë një zë të ‘vogël’, por bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”.

Për solistët të cilëve po u mban mësim gjatë master-klasit, ka fjalë të mira. I quan njerëz të thjeshtë, inteligjentë dhe me bazë të fuqishme operistike. Përmend edhe muzikalitetin e zërin e mirë të tyre.

“Kam arritur këtu para disa ditësh, i kam dëgjuar njerëzit të flisnin për Kosovën dhe u befasova prej çka pashë, u ndjeva si të isha në Evropë dhe këtë e them me shumë sinqeritet, sepse kam dëgjuar shumë gjëra për Kosovën thashë ‘woow’. Por jeni si në Paris, si në Itali”, thotë ai për përshtypjen ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, përveç profesorit për herë të parë në Prishtinë ka ardhur edhe solistja nga Italia Chiara Salerno. Ka qenë pikërisht përvoja me profesorin francez ajo që e ka shtyrë të marrë pjesë në master-klasin, i cili si produkt final do ta ketë koncertin “New Generation”, përmes përzgjedhjes së zërave më të mirë dhe dhënien e mundësisë së skenës për ta.

“E njoh profesorin prej para një viti, e kam pasur shansin të ndjek ligjëratë online nga ai në kohën e pandemisë dhe kur dëgjova për Festivalin dhe Kosovën, vendosa ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe të vij”, thotë ajo.

Tutje, Salerno e cilëson si mundësi të jashtëzakonshme për studentët e muzikantët e rinj. Madje thotë se nga një master-klas i tillë mund të nxjerrin mësime edhe profesionistët.

“Jam duke mësuar për teknikën vokalistike, disa repertoare, arie, të cilat janë shumë interesante për mua”, përfundon ajo.

Për baritonin Shaban Behramaj pjesëmarrja në master-klasin e para një viti në edicionin e parë të këtij Festivali dallon me këtë të sivjetmin, por teknika “belcanto” është e përbashkëta.

“Është një përvojë shumë interesante dhe e nevojshme për këngëtarët e rinj të cilët duan ta ndërtojnë teknikën e këndimit operistik. Gjithmonë flasim për emra të mëdhenj të cilët vijnë këtu dhe na mësojnë për një teknikë të re ose një formë të re të të kënduarit ose një ndërtim të teknikes së të kënduarit operistik”, u shpreh Behramaj.

Të jashtëzakonshëm, me përvojë e teknikë të shkëlqyer të këndimit e cilëson Jean Bernard Thomas, këshillat e të cilit përcillen nën tingujt pianistik të Fjorda Veizaj. Ndërkaq, për këndimin operistik italian, të cilin po e praktikon tenori francez thotë se është shumë e nevojshme për muzikantët e rinj.

“Ne në Kosovë nuk kemi mundësi të udhëtojmë shumë dhe të shohim shumë. Kështu që mirë që vijnë këtu dhe ndajnë me në disa copëza dhe forma të reja në mënyrën se si mendojmë dhe i qasemi punës së këndimit”, shprehet ai.

Pjesëmarrjen në festivale e sheh si një “derë të hapur” për muzikantët e rinj.

“Kur flasim për master-klasë të tilla jo domosdoshmërisht duhet të këndojnë të gjithë. Pra, kur flasim për pjesëmarrësit do të mund të ishin edhe si dëgjues sepse mëson shumë nga puna që bëhet me të tjerët, sikurse tash që po dëgjojmë të tjerët. Kështu që, po mendoj se duhet një interesim ende më i madh i të rinjve të cilët duan të mësojnë rreth teknikës vokale operistike”, përfundon Behramaj.

Koncerti “New Generation” në kuadër të festivalit ndërkombëtar operistik “Ramë Lahaj” është mundësi që u jepet zërave të rinj përmes masterclassave. Kjo e sivjetmja ka nisur që nga 21 korriku dhe po vazhdon deri te koncerti, për të cilin edhe bëhet përzgjedhja e solistëve të cilët do të interpretojnë më 28 korrik.