Pas Malit të Zi e Spanjës, për Yllka Gashin, çmimi i radhës vjen nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Scottsdale të Arizonës në SHBA, ku “Zgjoi” ka nisur të shfaqet në disa shtete. Veçohet New Yorku. “Në shfaqjet që kishin sallat ishin plot. Kishte interesim jashtëzakonisht nga njerëzit dhe më pas edhe komente pozitive për rrëfimin, për qasjen regjisoriale, por edhe për lojën e aktorëve”, ka thënë producenti Yll Uka, përderisa edhe çmimin nga Scottsdale e ka cilësuar konfirmim i talentit, përkushtimit dhe punës që Yllka Gashi ka dhënë për filmin, por edhe i punës që ka bërë i gjithë ekipi
“Zgjoit” të Kosovës kohëve të fundit s’i shpëton asnjë ditë pa u bërë lajm. Të martën erdhi me atë se Yllka Gashi ka marrë Çmimin e aktores më të mirë në rolin kryesor në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Scottsdale të Arizonës. Për të është trofeu i tretë me filmin nën regji të Blerta Bashollit, i pari nga një festival në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E pikërisht në këtë kontinent hiti filmik ka nisur të shfaqet para katër ditësh. Interesimi i jashtëzakonshëm për filmin e shpërblimi sikur janë një konfirmim shtesë i përshtypjeve të mira që po lë filmi kosovar.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Scottsdale të Arizonës, i themeluar në vitin 2001, pati një rritje të shpejtë. Sipas përshkrimit në ueb-faqe gjatë këtyre ditëve e gjatë historisë së tij dydekadëshe, Festivali ka prezantuar më shumë se 700 filma – duke filluar nga fituesit kryesorë të çmimeve “Oscar” deri tek perlat e pazbuluara – dhe ka pasur mbi dhjetë mijë ndjekës.
Deri tani aktorja 39-vjeçare është shpërblyer me Çmimin për aktoren më të mirë në edicionin e 34-t të Festivalit të Filmit në Herceg Novi të Malit të Zi dhe në festivalin “Seminci” në Spanjë. Çmimin e parë e mori në gusht, ndërsa të dytin të shtunën e 30 tetorit, në edicionin e 66-të të “Valladolid International Film Festival”, duke lënë prapa aktoret që në sirtarët e tyre kanë trofetë kulmorë në kinematografi.
Në anën tjetër, “Zgjoi” triumfin më të madh e pati pikërisht në SHBA. E nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në festivalin më të madh amerikan, “Sundance Film Festival”.
Në qershor, në “Nantucket Film Festival” që mbahet në Massachusetts dhe që u dedikohet skenaristëve, Basholli ishte në garë për çmimin kryesor. Po ashtu në shtator “Zgjoi” ishte i nominuar për filmin më të mirë në “Guanajuato International Film Festival”, që mbahet në dy qytete meksikane: San Miguel de Allende dhe Guanajuato. Ndërkaq në këtë kontinent mori shpërblime në dy festivale të tjera, në shtator në “Berkshire International Film Festival”, që mbahet në Massachusetts, mori Çmimin e jurisë dhe në fillim të tetorit në “The Crested Butte Film Festival” që mbahet në Colorado, filmi u shpërblye me çmimin “Best Narrative Feature”.
Edhe shfaqja në kinematë amerikane, veçanërisht ato në New York, nisi mbarë për filmin që është kandidati i Kosovës për “Oscars”. Dy ditë para shfaqjes në “Film Forum” u shitën të gjitha biletat për terminin e orës 6:50 të së premtes dhe të shtunës. Në këta dy terminë, në New York, pas shfaqjes së filmit ishte paraparë edhe diskutim me regjisoren Blerta Basholli dhe me aktoren Yllka Gashi.

Producenti Yll Uka, i cili ishte po ashtu i pranishëm, ka thënë se janë jashtëzakonisht të kënaqur me interesimin që po tregohet për filmin, veçanërisht edhe nga komuniteti i shqiptarëve në ShBA.
“Në shfaqjet që kishin sallat ishin plot. Kishte interesim jashtëzakonisht nga njerëzit dhe më pas edhe komente pozitive për rrëfimin, për qasjen regjisoriale, por edhe për lojën e aktorëve. Pas çmimit në Spanjë, çmimet si ky në Scottsdale të Arizonës janë një konfirmim i talentit, përkushtimit dhe punës që Yllka Gashi ka dhënë për filmin. Gjithashtu edhe një konfirmim i punës që ka bërë i gjithë ekipi”, ka thënë Uka, që ndodhet në New York. Ka treguar se filmi do të vazhdojë shfaqjet në kinematë e SHBA-së e po ashtu edhe në Zvicër, Maqedoni, Shqipëri dhe në Kosovë.
E në ShBA “Zgjoi” tashmë ka marrë edhe vëmendjen e kritikës dhe atë hiç më pak se nga gazeta prestigjioze “The New York Times”.
“Ashtu si protagonistja, filmi është i ashpër, i drejtpërdrejtë dhe i vëmendshëm ndaj jetës së zakonshme. Skenaristja dhe regjisorja Blerta Basholli nuk të mashtron me mjerimin e personazhit, apo të mban peng emocionet e tua. Fahrija nuk paraqitet si e dashur; ndonjëherë është vështirë e pëlqyeshme, që do të thotë se ajo është më shumë një qenie njerëzore sesa një emblemë e vuajtjes së virtytshme. Ajo ka hijeshitë e saj, edhe pse këto priren të dalin në intimitetin që ndan me familjen dhe miqtë e saj si Naza (portretizuar nga Kumrije Hoxha)”, ka shkruar ndër të tjera Manolha Dargis për “NYT”.