Shtojca për Kulturë

“The New York Times” për filmin “Zgjoi”: Nga rrëmuja e pasluftës, një e mbijetuar rimëkëmbet

Ashtu si protagonistja, filmi është i ashpër, i drejtpërdrejtë dhe i vëmendshëm ndaj jetës së zakonshme
 

Në këtë dramë të tendosur, regjisorja Blerta Basholli eksploron jetën e grave, burrat e të cilave u zhdukën në luftë.

Drama e “Zgjoit” hapet me skena që ta zënë frymën. Një grua që nuk buzëqesh, me profil të ngurtë qëndron pranë një kamioni. Njerëzit vërtiten rreth saj, duke krijuar një zhurmë që nuk kuptohet. Papritmas, gruaja ulet nën shiritin e policisë e hyn në kamion, ku me nxitim fillon të hapë disa qese najloni, duke ua hedhur atyre që ka brenda. Hunda i rrudhet kur sheh rrobat e rreckosura të të pagjeturve. Ajo largohet nga ai vend nga një punëtor, mirëpo të kërkuarit vazhdon.

Kjo grua, Fahrija (luajtur nga Yllka Gashi), kërkon burrin e saj, një nga shumë të pagjeturit, i cili ishte zhdukur disa vjet më parë gjatë luftës në Kosovë. Tani, me dy fëmijët dhe vjehrrin e saj me nevoja të veçanta, ajo mundohet ta mbështesë familjen e saj. Fillimisht merret me bletari, punë të cilën e kishte ushtruar edhe i shoqi i saj, dhe përmes kësaj pune shet mjaltë në dyqanin e fshatit. Shitjet janë të pakta, e nganjëherë nuk arrin të shesë asgjë, mirëpo bletët janë mundësia e saj e vetme për të siguruar një jetë shumë modeste. Me raste, ajo takohet me grupin e grave të cilat përballen me të njëjtat sfida nën shikimin nënçmues të burrave të fshatit. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo vazhdon ta kërkojë burrin e saj – e përhumbur nga imazhi i tij.