Të dielën mbrëma kur u bënë të ditur fituesit e edicionit të sivjetmë nuk munguan filmat e regjisorëve shqiptarë. “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit mori çmimin special të jurisë, “Aleksandri i argjendtë” në kategorinë “Meet the Neighbors”, kurse “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit fitoi Çmimin e publikut në kategorinë ballkanike. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik këtë vit u veçua për programin që solli filma të shpërblyer dhe filma që tashmë janë testuar nëpër festivale prestigjioze
Sukseset e kinematografisë së Kosovës nuk kanë të ndalur. Filmat e regjisorëve shqiptarë janë duke marrë çmimet me të rëndësishme nga festivale të mëdha në mbarë botën. Mbrëmjen e së dielës koleksionin e çmimeve e pasuroi “Vera andrron detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi dhe “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit. Ishin në mesin e filmave të shpërblyer në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
“Zgjoi” fitoi Çmimin e publikut në kategorinë ballkanike, kurse “Vera andrron detin” mori çmimin special të jurisë - “Aleksandri i argjendtë”- në kategorinë “Meet the Neighbors”. Edicioni i 62-të ka nisur më 4 nëntor dhe përfundoi sonte.
“Ajo që fillon si një histori e thjeshtë zhvillohet në një portret të shtresuar dhe delikat të një gruaje të guximshme në një mjedis armiqësor përmes një aktoreje mahnitëse”, është vlerësimi që ia bëri juria e Festivalit filmit të regjisores Krasniqi.
“Vera andrron detin” është një dramë gjysmëbiografike e regjisores Krasniqi. I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së regjisores, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj, Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.
Regjisorja Krasniqi ka thënë se dita e sotme ishte e veçantë për të.
“Sot i mora dy lajme të jashtëzakonshme, ‘Vera andrron detin’ u shpërblye me Çmimin special të jurisë në garën ‘Meet the Neighbors’ – ‘'Aleksandri i argjendtë’ - në edicionin e 62-të të Festivalit të Selanikut dhe projekti im i dytë ‘Bleach’, në të cilin jam duke punuar me skenaristen Doruntina Basha, mori çmimin kryesor për zhvillim në ‘Arras Days’ në kuadër të festivalit ‘Arras’ në France. Është një ditë e madhe dhe e pabesueshme”, ka thënë ajo.

E diela doli të jetë e suksesshme edhe për “Zgjoin”.
“Ne ia kemi marrë zemrën publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik dhe kjo ka shumë rëndësi për ne pasi nënkupton që filmi po arrin të komunikojë me njerëzit kudo që po shfaqet. Sonte ishte një mbrëmje super e këndshme pasi që filmi ynë hapi Festivalin e Filmit në Zagreb dhe ky ishte një nderi i madh për ne. Salla ishte plot për shfaqjen tonë në Kroaci dhe ne ishim jashtëzakonisht të lumtur”, ka thënë producenti Yll Uka, i cili ka treguar se “Zgjoi” shfaqet në Zagreb edhe më 21 nëntor nga ora 18:30. Uka është në SHBA pasi që filmi ka nisur shfaqjen në kinematë amerikane dhe ai bashkë me regjisoren e aktoren Yllka Gashi po punojnë sa më shumë në promovimin e filmi i cili është kandidati i Kosovës për “Oscars”.
“Vera andrron detin” javën e kaluar bëri histori. Krasniqi u bë regjisorja e parë që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio dhe për herë të parë vendi ishte në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz.
Filmi me skenar nga Doruntina Basha premierën e pati në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator të këtij vitit. Ishte në konkurrencën zyrtare në programin “Orizzonti”.
Publiku vendës ka pasur mundësinë që të shohë vetëm trailerin e filmit që zgjat 1 orë e 22 minuta. Premiera kombëtare akoma nuk është dhënë, përderisa filmi po vazhdon paraqitjen nëpër festivaleve me nam. Në anën tjetër “Zgjoi” pati premierën kombëtarë në “PriFilm Fest” në muajin gusht. Hiti i Kosovës në kinema, kandidati i Kosovës për “Oscar”, është edhe në kinema. Pos në “Cineplexx” të Prishtinë e të Prizrenit, mund të shihet edhe në “Cinemarine” po në Prizren.
“Zgjoi” shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe të grave nga Krusha e Madhe. Tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe për gratë e tjera.
Filmi triumfin më të madh e pati në SHBA. E nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në festivalin më të madh amerikan, “Sundance Film Festival”.
Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik çmimin kryesor e fitoi filmi “Sftie” në regji të Samuel Theis. Filmi i cili u shfaq në Festivalin e Filmit në Cannes u shpërblye me “Aleksandrin e argjendtë” dhe mori çmimin me vlerë prej 10 mijë eurosh që u nda nga juria e festivalit në përbërje nga regjisori Nanouk Leopold, inxhinieri i zërit Roland Vajs dhe aktorja Michelle Valley.
Nga ky festival u shpërblye edhe projekti filmik “2000: A Post-war Odyssey” i regjisorit Zgjim Terziqi. Ai mori çmimin e tretë, ende pa nisur xhirimet e filmit. U shpërblye në “Crossroads Co-production Forum” të Festivalit të Filmit në Selanik, që veçohet për një përzgjedhje të fuqishme të projekteve nga Mesdheu, Ballkani dhe Evropa. Filmi ishte pjesë e “Agora Market”. “Crossroads Co-production Forum” u mbajt prej 5 deri më 9 nëntor dhe “2000: A Post-war Odyssey” ishte përzgjedhur bashkë me 13 projekte të tjera.