Kulturë

“Vera andrron detin” triumfon në Tokio, vlerësohet vizioni regjisorial

“Personalja dhe kolektivja përplasen në filmin e sjellë me një regji vizionare, performancë të fuqishme e që njëkohësisht është pjesë e valës mahnitëse të gjeneratës së re të guximshme të kineasteve nga Kosova”, ka thënë aktorja e njohur Isabelle Huppert, njëherësh kryetare e jurisë së Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio

Prishtinë, 8 nëntor – Kaltrina Krasniqi është bërë regjisorja e parë që merr çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio. Është prej festivaleve të kategorisë “A”. Filmi që shpalos rrëfimin e Verës, e cila lufton për të mbrojtur të drejtat e saj mbi pronën e burrit të ndjerë, është nderuar si filmi më i mirë me “Tokyo Grand Prix/The Governor of Tokyo Award”. Me “Vera andrron detin” Krasniqi për herë të parë e dërgoi vendin në garën zyrtare të këtij festivali prestigjioz. Kështu Kosova e ka nisur mbarë rrugëtimin në TIFF që ka nam në botën e kinematografisë për më shumë se tri dekada. Edhe emri i filmit të gjatë debutues të Krasniqit është shkruar me të arta. Me t’u bërë i ditur lajmi, Krasniqi mori vëmendjen e mediave të rëndësishme ndërkombëtare si: “Variety”, “Hollywood Reporter”, “ScreenDaily” e të ngjashme. Për KOHËN regjisorja ka numëruar tri arsyet që ia shtojnë rëndësinë e madhështinë këtij lajmi.

“Vera andrron detin” është një dramë gjysmëbiografike e regjisores Krasniqi. I ndërtuar rreth eksperiencës së vërtetë të nënës së regjisores, filmi ka në fokus një interpretuese të gjuhës së shenjave, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni), e cila detyrohet të luftojë kundër patriarkatit për të fituar trashëgiminë e burrit të saj Fatmirit (Xhevat Qorraj). Pasi që Fatmiri vret veten, ajo mund të humbë shtëpinë të cilën dëshiron t’ia lërë vajzës së saj.

Aktorja e njohur Isabelle Huppert, njëherësh kryetare e jurisë së Festivalit, gjatë leximit të vlerësimit të jurisë ka thënë se filmi paraqet një rrëfim prekës të një gruaje që njëkohësisht përballet me vdekjen e burri të saj, por edhe me strukturat e patriarkatit që shtypin ata që nuk luajnë sipas rregullave të thella të kësaj loje të caktuar nga burrat.

“Personalja dhe kolektivja përplasen në filmin e sjellë me një regji vizionare, performancë të fuqishme e që njëkohësisht është pjesë e valës mahnitëse të gjeneratës së re të guximshme të kineasteve nga Kosova”, ka thënë Huppert, e cila çmimin ia tha Arban Mehmetit i ngarkuar me punë në Ambasadën e Kosovës në Japoni.

Çmimi ka vlerë 30 mijë dollarë dhe ceremonia e ndarjes është mbajtur mbrëmjen e së hënës (sipas kohës në Azi). Ky lajm ka gëzuar regjisoren Krasniqi dhe vendin mëngjesin e së hënës, e cila po qëndron në Selanik - “Vera andrron detin” është pjesë e edicionit të 62-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik - nuk e ka fshehur gëzimin për këtë çmim.

“Janë disa arsye pse ky lajm më ka emocionuar shumë. E para, Kosova nuk ka qenë kurrë më parë në këtë festival prestigjioz. Pastaj kryetarja e jurisë - Isabelle Huppert - ka qenë dhe mbetet aktorja ime më e preferuar e të gjitha kohërave. Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, kinematografia japoneze ka qenë gjithmonë pikë reference në rritjen time profesionale, andaj ky çmim më nderon tej mase”, ka thënë ajo.

E përmes një video-mesazhi dërguar Festivalit ka thënë se “kur e mora lajmin këtë mëngjes që filmi është shpërblyer me çmimin kryesor në Tokio, brohorita, qesha dhe qava nga gëzimi”. Po ashtu ka falënderuar Festivalin, jurinë por edhe ekipin për punën që kanë bërë për ta sjellë në jetë këtë rrëfim.

Edicioni i 34-t i Festivalit u mbajt me prani fizike nga 30 tetori deri më 8 nëntor. TIFF këtë viti pati 126 filma dhe mbi 29 mijë vizitorë më pak sesa vitin e kaluar, kur shfaqi 138 filma dhe pati mbi 40 vizitorë.

Filmi me skenar nga Doruntina Bashës premierën e pati në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, në Festivalin e Filmit në Venecia në shtator të këtij vitit. Ishte në konkurrencën zyrtare në programin “Orizzonti”.

Publiku vendas ka pasur mundësinë që të shohë vetëm trailerin e filmit që zgjat 1 orë e 22 minuta. Premiera kombëtare akoma nuk është dhënë përderisa filmi po vazhdon paraqitjen nëpër festivaleve me nam.

“Përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hap rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj”, është përshkrimi që ia bën filmit Qendra Kinematografike e Kosovës.

Në film përveç Teuta Ajdini-Jegenit dhe Xhevat Qorrajt luajnë edhe: Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, etj. Drejtoreshë e fotografisë është kinematografja Sevdije Kastrati dhe producenti Shkumbin Istrefi.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Për këtë projekt Qendra Kinematografike e Kosovës i ka ndarë 130 mijë euro me konkursin e vitit 2015.

Në “TIFF” përveç Krasniqit ka triumfuar edhe filmi “La Civil”, nën regji të Teodora Ana Mihait, që mori çmimin special të jurisë, pastaj Darezhan Omirbaev mori çmimin për regjinë më të mirë për filmin “Poet”. Aktorja më e mirë u zgjodh Julia Chávez për rolin e saj në “The Other Tom”, nën regji të Rodrigo Plá dhe Laura Santullo. E çmimin për aktorin më të mirë e ka ndarë së bashku katër aktorët - Amir Aghaee, Fatih Al, Barış Yildiz dhe Onur Buldu – për lojën e tyre në filmin “The Four Walls”, nën regji të Bahman Ghobadit.

Në kategorinë “Asian Future” – që u ndahet regjisorëve nga Azia - çmimi për filmin më të mirë e mori Hossein Tehrani për filmin “World, Northern Hemisphere”, një dramë për një 14-vjeçar që mban familjen pas vdekjes së babait të tij. Në ceremoninë përmbyllëse po ashtu u ndanë dy çmime të reja, që u ndanë në bashkëpunim me “Amazon Prime Video”.