Shyqri Nimani, njëri prej artistëve më të shquar shqiptarë, nismëtar i grafikës në këto anë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme nëpërmjet veprave e logove të institucioneve qendrore të Kosovës, ka vdekur të enjten. Ai ishte 82-vjeçar. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja Nimani.
Artisti shumëdimensional ka qenë bartës i jetës artistike në vend, themelues e udhëheqës institucionesh, profesor universitar dhe njëri prej zërave më unikë, ndër të tjera edhe kaligraf i Deklaratës së Pavarësisë, shkruar në pergamenë.
U lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku vazhdoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin të Prishtinës. Për një dekadë ishte drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, prej vitit 1979.
Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, krijimtaria artistike e Nimanit përfshin pllakatin, ilustrimet, logot, përgatitjen grafike të librit, si dhe të gjitha disiplinat e aplikueshme në grafikë.
Në vitet 1976–1978 qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, SHBA, Singapor e të tjera. Realizoi disa ekspozita personale në vend dhe jashtë, e gjurmët e mjeshtërisë së tij artistike janë të pashlyeshme edhe nëpërmjet logove. Është autor i logos së Universitetit të Prishtinës, Galerisë së Arteve të Kosovës, Kosovafilmit, RTV Prishtinës, “Grand Hotel Prishtinës” e shumë të tjerave.
Lamtumira e fundit do të jepet të premten në Prishtinë dhe paraprakisht homazhet do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Kosovës prej orës 14 deri në 15. Po aty do të mbahet edhe mbledhja komemorative përderisa varrimi do të bëhet në orën 17:00
Vdekja e Shyqri Nimanit është cilësuar si humbje e madhe për artin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Nimani është figura qenësore e fillesave dhe të zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ishte “edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend”.
“Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj. Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi. Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008. Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij”, shkroi Kurti në Facebook të enjten.
Ai iu ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmeve dhe të gjithë komunitetit kulturor.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në telegram ngushëllimi e ka quajtur Shyqri Nimanin mjeshtër të arteve të bukura, emër kulmor në këtë fushë.
“Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike. Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të ‘Grand Hotelit’, KosovaFilmit deri te simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se profesor Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë”, ka shkruar ndër të tjera, ministri Çeku.
E ka kujtuar për kontributin e tij në themelimin e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, për kontributin në themelimin e institucioneve të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Shyqyri Nimani ia kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha.
“Ndarja fizike e më të dashurit tuaj, prof. Shyqri Nimani, i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare përmes artit dhe punës së dëshmuar si pedagog, është një humbje e madhe për vendin e në veçanti për komunitetin e artistëve, të cilit i përkiste. Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ia kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha”, ka shkruar Nagavci në telegram ngushëllimi teksa ka shtuar se Nimani, dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet te studentët.
Galeria Kombëtare e Kosovës e ka kujtuar për veprat e tij ashtu sikurse edhe për kontributin në udhëheqjen e institucionit më të lartë të artit pamor në vend, që nga themelimi i tij.
“Prof. Nimani ka ushtruar detyrën si drejtor i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga themelimi i saj në vitin 1979 e deri në vitin 1989. Gjatë kësaj kohe në Galeri është ndërtuar dhe pasuruar fondi i Galerisë dhe janë realizuar mbi 160 ekspozita”, ka shkruar GKK-ja.
Kuvendi i Kosovës, të enjten, para fillimit të seancës. ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të grafistit.
Shyqri Nimani nuk ishte i shquar vetëm në art pamor e si autor studimesh ku veçohen monografitë e publikimet: “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, “Arti bashkëkohor i Kosovës”, “Artistët Shqiptarë Gjatë Renesancës Italiane” e të tjera. Qysh në fillet e karrierës së tij u bë i njohur si zë unik edhe në muzikë.
Si kantautor, gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar tri albume me Jazz Orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit. Këngët, si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në top-listat muzikore të ish-Jugosllavisë.
Ky kapitull i artit të tij ishte rikthyer në skenë me koncertin “Nëpër gjemba drejt yjeve”, në dhjetor të vitit 2021, në 80-vjetorin e karrierës së tij.
“Unë mendoj se sonte është thënë gjithçka që është dashur që të thuhet dhe është thënë në mënyrën më të bukur, e mënyrë më të bukur se muzika nuk ekziston. Unë jam marrë me 12 fusha të ndryshme dhe me arte, por dua ta pranojmë se muzika është arti i parë për arsye se depërton në shpirtin e njeriut dhe e ngashënjen. Dhe unë sa herë që e dëgjoj sot muzikën çlodhem nga puna ime”, kishte thënë ai.
Dhe me punën e tij për gjashtë dekada, Shyqri Nimani ka lënë një thesar të çmuar të artit.