EXPRESS

Vdiq Shyqri Nimani, mjeshtri i artit

Shyqri Nimani, njëri prej artistëve më të shquar shqiptarë, nismëtar i grafikës në këto anë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme nëpërmjet veprave e logove të institucioneve qendrore të Kosovës, ka vdekur të enjten. Ai ishte 82-vjeçar. Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë familja Nimani.

Artisti shumëdimensional ka qenë bartës i jetës artistike në vend, themelues e udhëheqës institucionesh, profesor universitar dhe njëri prej zërave më unikë, ndër të tjera edhe kaligraf i Deklaratës së Pavarësisë, shkruar në pergamenë.

U lind më 6 maj të vitit 1941 në Shkodër. Kreu studimet në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd më 1967, ku vazhdoi edhe studimet pasuniversitare. Për shumë vjet ishte mësimdhënës i dizajnit grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin të Prishtinës. Për një dekadë ishte drejtori i parë i Galerisë së Arteve të Kosovës, prej vitit 1979.

Sipas biografisë së tij në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, krijimtaria artistike e Nimanit përfshin pllakatin, ilustrimet, logot, përgatitjen grafike të librit, si dhe të gjitha disiplinat e aplikueshme në grafikë.

Në vitet 1976–1978 qëndroi për hulumtim artistik në Japoni dhe më pas bëri udhëtime studimore në Angli, Francë, Itali, Shqipëri, Rusi, Spanjë, Greqi, SHBA, Singapor e të tjera. Realizoi disa ekspozita personale në vend dhe jashtë, e gjurmët e mjeshtërisë së tij artistike janë të pashlyeshme edhe nëpërmjet logove. Është autor i logos së Universitetit të Prishtinës, Galerisë së Arteve të Kosovës, Kosovafilmit, RTV Prishtinës, “Grand Hotel Prishtinës” e shumë të tjerave.

Lamtumira e fundit do të jepet të premten në Prishtinë dhe paraprakisht homazhet do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Kosovës prej orës 14 deri në 15. Po aty do të mbahet edhe mbledhja komemorative përderisa varrimi do të bëhet në orën 17:00

Vdekja e Shyqri Nimanit është cilësuar si humbje e madhe për artin e Kosovës.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në telegram ngushëllimi e ka quajtur Shyqri Nimanin mjeshtër të arteve të bukura, emër kulmor në këtë fushë.

“Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit. Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj. Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmor të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike. Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të “Grand Hotelit”, KosovaFilmit deri te simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se profesor Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.

Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, për kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Shyqyri Nimani ia kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha.

“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit, disenjatorit grafik dhe pedagogut, prof. Shyqri Nimani, i cili bëri kaligrafimin me dorë në pergamenë të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Ndarja fizike e më të dashurit tuaj, prof. Shyqri Nimani, i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare përmes artit dhe punës së dëshmuar si pedagog, është një humbje e madhe për vendin e në veçanti për komunitetin e artistëve, të cilit i përkiste. Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ia kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha.

Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet te studentët. Në emër të Ministrisë së Arsimit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e bashkëpunëtorëve!

I qoftë i lehtë dheu profesor Shyqri Nimanit!”

Galeria Kombëtare e Kosovës e ka kujtuar për veprat e tij ashtu sikurse edhe për kontributin në udhëheqjen e institucionit më të lartë të artit pamor në vend, që nga themelimi i tij.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikut Shyqri Nimani. Prof. Nimani ka ushtruar detyrën si drejtor i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga themelimi i saj në vitin 1979 e deri në vitin 1989. Gjatë kësaj kohe në Galeri është ndërtuar dhe pasuruar fondi i Galerisë dhe janë realizuar mbi 160 ekspozita. Shyqri Nimani është autori i një numri të publikimeve, duke përfshirë “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, 1987; “Arti bashkëkohor i Kosovës”, 1988; “Përgatitja e librit”, 1990; “10×10 – Ars Longa Vita Brevis”, 1994; “Trojet shqiptare në harta dhe stema”, 1997; “Arnavud – Artistët Shqiptarë në Perandorinë Osmane”, 2003; “Gurë të Mozaikut Shqiptar”, 2011; “Mehmet Ali Pasha”, 2012; “Artistët Shqiptarë Gjatë Renesancës Italiane” 20xx, dhe “Nëpër Gjemba Drejt Yjeve”, 2017 ndër të tjera. Galeria Kombëtare e Kosovës i shpreh ngushëllime familjarëve dhe të gjithë komunitetit artistik”.

Shyqri Nimani nuk ishte i shquar vetëm në art pamor e si autor studimesh ku veçohen monografitë e publikimet: “Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë”, “Arti bashkëkohor i Kosovës”, “Artistët Shqiptarë Gjatë Renesancës Italiane” e të tjera. Qysh në fillet e karrierës së tij u bë i njohur si zë unik edhe në muzikë.

Si kantautor, gjatë viteve ’60, ’70 dhe ’80 ka realizuar rreth 100 këngë në Radio Televizionin e Prishtinës, si dhe ka botuar tri albume me Jazz Orkestrën e Radio Televizionit të Beogradit. Këngët, si “Adriatiku”, “Ilirjana” dhe “Adriana”, të kënduara nga Nimani, dikur ishin në top-listat muzikore të ish-Jugosllavisë.

Ky kapitull i artit të tij ishte rikthyer në skenë me koncertin “Nëpër gjemba drejt yjeve”, në dhjetor të vitit 2021, në 80-vjetorin e karrierës së tij.

“Unë mendoj se sonte është thënë gjithçka që është dashur që të thuhet dhe është thënë në mënyrën më të bukur, e mënyrë më të bukur se muzika nuk ekziston. Unë jam marrë me 12 fusha të ndryshme dhe me arte, por dua ta pranojmë se muzika është arti i parë për arsye se depërton në shpirtin e njeriut dhe e ngashënjen. Dhe unë sa herë që e dëgjoj sot muzikën çlodhem nga puna ime”, kishte deklaruar Nimani.

...dhe me punën e tij për gjashtë dekada, Shyqri Nimani ka lënë një thesar të çmuar të artit.